Një tjetër atentat ndaj Denis Shtrazës i akuzuar për vrasjen e Gazmend Çollakut. Plot 17 herë është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së Denis Shtrazës në qytetin e Durrësit, gjatë orëve të natës. Si pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë 12 vjeçar, teska ishte në gjumë.
Shtraza u arrestua nga policia e Durrësit disa muaj më parë si i dyshuar për vrasjen e Gazmend Çollakut. Persona te paidentifikuar janë pozicionuar te rruga përballë dritareve të shtëpisë dhe kanë hapur zjarr duke zbrazur një karikator kallashnikovi. Në momentin kur është hapur zjarr në banesë ndodheshin 8 persona mes tyre 4 fëmije. Për pasojë një plumb rikoshet ka plagosur në kokë djalin 12 vjeçar të Ilir Shtrazës, vëllait të Denis Shtrazës, raporton News 24. 12vjeçari është dërguar për ndërhyrje të specializuar në Tiranë, ku iu nënshtrua një operacioni kirurgjikal dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ky është sulmi i dytë ndaj Denis Shtrazës. Ai është qëlluar mbrëmjen e dates 4 shkurt 2013 me armë zjarri pranë një lokali në Durrës . Në vitin 2009 Denis Shtraza u ekstradua nga Gjermania ku dhe u arrestua pasi ishte i kërkuar për dy plagosje me armë zjarri në qytetin e Durrësit.
Sipas policisë 33vjeçari Shtraza dyshohet se është anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.
Shtraza është i dyshuari kryesor për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në fillim të këtij viti. Ai u kap në aeroportin e Rinasit teksa tentonte të largohej nga vendi. Vrasja e Çollakut dyshohet se ishte hakmarrje për atë të Ervin Kodrës, mik i Shtrazës, që u vra së bashku me një të ri nga Vlora 20 dhjetorin e kaluar, ndaj dyshimet ranë mbi të.