Një grua në kuzhinë është për shkak të nevojës për të ngrënë, por edhe më tepër sesa kaq. Cili është rasti juaj?
Mendoj që kushdo qoftë në kuzhinë, është për shkak të nevojës për të ngrënë, kjo varet pastaj nga kushtet, traditat, historia e çdo kombi. Në shoqëritë e sotme, ku çdo gjë ka ndryshuar, edhe koncepti i të gatuarit ka pasur shndërrimet e veta. Te ne jemi mësuar ta shikojmë gruan në kuzhinë dhe ky është fenomen i gjithë vendeve mesdhetare, unë bëj pjesë në këtë stil jete dhe jam e lumtur për këtë.
Sa i rëndësishëm është për ju, gjatë procesit të gatimit, njeriu apo njerëzit për të cilët gatuani?
Përkufizimi i të gatuarit për mua është shprehje dashurie. Në momentin që gatuaj, mendoj atë që do shijojë gjellët e mia dhe gjatë shijimit, të gjejë dashurinë që kam hedhur bashkë me përbërësit e përdorur.
A ju pëlqen të shtroni darka apo dreka për miq në shtëpinë tuaj?
Një nga virtytet që më karakterizojnë është mikpritja. Kam shumë dëshirë të pres në shtëpinë time dhe dëshiroj të gatuaj vetë. Kam shumë dëshirë të krijoj menu të pa provuara dhe mezi pres të komplimentohem nga miqtë. Madje kur nuk më thonë gjë, jam unë ajo që i pyes…
-Cilat janë specialitetet tuaja?
Kam dëshirë t’i ndërroj menutë e mia dhe nuk më pëlqen të përsëris vetveten, ndoshta kjo vjen nga dëshira për të eksperimentuar receta të reja.
-Një artiste që ka shkelur skenat e botës, për pasojë ka njohur edhe kuzhinat e sa e sa vendeve: si ju vijnë përshtypjet e kuzhinave të ndryshme? Si mund t’i rendisni sipas një hierarkie të vendosur nga shijet tuaja vetjake?
Po gjithnjë në udhëtim, bashkë me përvojat profesionale, kam krijuar dhe një farë liste të preferencave kulinare.
Mendoj se kuzhina më e rafinuar është ajo franceze, por kur ajo degustohet në restorante tepër prestigjioze, ku nuk ka fund fantazia dhe mjeshtëria.
Ndërsa për pjata të shijshme në restorante masive, do rreshtoja Italinë dhe Spanjën.
-Sa vend zë kuzhina franceze tashmë në menunë që përgatisni vetë në shtëpi?
Kam në repertorin tim plot pjata “ala francais”, por me kohë janë kthyer “ala Inva”.
-Çfarë keni sjellë nga udhëtimet tuaja nëpër botë, diçka që mund të ketë pasur lidhje me kuzhinën?
Kur gjej ndonjë objekt origjinal, e blej dhe e mbaj me kujdes. Sot në kohën e globalizmit i gjen të gjitha kudo, por ndonjë lugë nga druri i ullirit për të shërbyer kavanozin e mjaltit, më duket se ja vlen ta marrësh me vete.
-Sa kureshtare tregoheni për të mësuar procesin që ka pasur si rezultat pjatën që ju vihet përpara në një restorant?
Kur provoj diçka të shijshme, pyes si e kanë bërë. Në fakt kuzhinierët e mirë nuk e nxjerrin sekretin, këtë e di, ndaj mundohem ta zbërthej vetë sipas shijes që pjata përcjell.
-A ju kujtohet hera e parë në kuzhinë, receta e parë që keni gatuar? Reagimi i të tjerëve për shijen që ju keni ofruar?
Do t’ju zbuloj diçka që nuk e them me mburrje: unë nuk kam gatuar kurrë përpara se të largohesha nga Shqipëria. Në Francë, gatimet e para kanë qenë një kokërr vezë e skuqur apo një pjatë makarona të ziera pa salcë. Pra gatimet e para kanë qenë një domosdoshmëri për të mos provuar urinë
Në familjen tonë gatuante mamaja, por vërtet shumë mirë dhe e kishte me kaq pasion, sa nuk na linte iniciativë për të provuar diçka nga duart tona. Kështu, e mësuar me këtë komoditet, nuk kisha ndërmend të provoja, vetëm kur më mësoi “halli”.
-Me çfarë aromash dhe shijesh ju shfaqet në kujtesë fëmijëria? Çfarë mezi prisnit të hanit të gatuar nga mamaja juaj?
Në shtëpinë tonë vinte aromë gatimi nga mëngjesi në darkë, mamaja e kishte obsesion të na ushqente mirë. Madje, nuk provonim nga duart e saj vetëm ne pjesëtarët e familjes, por miqtë, komshinjtë, studentet që vinin për të studiuar me të. Pra, kushdo që trokiste në derë, nuk largohej pa ndonjë petull apo qofte në dorë, aq sa kush kujton mamanë time, mban mend dhe pjatat e shijshme që ajo bënte.
-Si do ta përshkruanit profilin prej amvise të nënës suaj?
Këtu është rasti për të thënë se, një grua që do familjen e saj dhe njerëzit që e rrethojnë, e shpreh këtë dashuri edhe me anë të gatimit. Mamaja ime ishte Dashuri e vërtetë në gatim.
-A ju kujtohet ndonjë recetë që nëna juaj e solli në tryezën e familjes të trashëguar prej familjes nga vinte? Në të njëjtën linjë, si ishte e përzier në kuzhinën e nënës suaj tradita e vendit nga ajo vinte, me vendin ku erdhi të krijonte familjen e saj?
Në kuzhinën e mamasë time sigurisht kishte shumë gjellë ruse, të cilat e bënin të veçantë gatimin e saj, këtu do përmend të famshmet pirashki, pilmenji, blini, borsh etj., por ajo përvetësoi shumë shpejt kuzhinën shqiptare dhe u bë mjeshtre e tavës së kosit, fërgesës, byrekut, të mbushurave etj. Pra te ne, kishte vetëm kombinime të gjërave më të mira dhe më të shijshme.
Fatmirësisht, kemi pasur fqinjë një zonjë të madhe, njëkohësisht artiste e jashtëzakonshme, një grua me një kulturë të madhe dhe dije pa fund në të gjitha fushat. E kam fjalën për sopranon Gjusepina Kosturi. Përveç diskutimeve të tyre për artin, një vend të veçantë zinin dhe shkëmbimet kulinare, ku falë zonjës Gjusepina, mamaja u bë dhe mjeshtre e kuzhinës italiane.
Pra, çdo gjë e mirë përvetësohej në familjen tonë për t’u futur në mënyrën sa më të mirë të jetesës, sigurisht në kushtet e Shqipërisë tepër të varfër, që mundoheshim ta pasuronim me “savoir vivre” (të dish të jetosh) në mënyrën tonë.
Ashtu sikurse mamaja ime më parë, edhe dhe unë tani, vazhdoj të përvetësoj çdo ditë, nga çdo njeri, nga çdo eksperiencë e mirë, për t’i dhëne dije dhe cilësi ushqimit tonë, që është kaq i rëndësishëm për shëndetin tonë.
Cilat janë këshillat që mamaja ju ka dhënë për kuzhinën?
Këshillat kanë qenë të shumta, por më të rëndësishmet do rreshtoja: “qepa nuk skuqet, por shuhet me pak ujë, e mbuluar me kapak“; “çdo gjë me kapak në avullin e vet…“; “pjesa e brendshme e hudhrës duhet hequr për të mos dëmtuar stomakun…” etj…
-A funksionin për ju kuzhina si terapi? A ju ndodh që pas lodhjeve në provat e gjata, pas turneve apo kohëve të tjera të tejmbushura me punë, të ndjeni nevojën për ta kërkuar çlodhjen në kuzhine? A e gjeni?
Mbase nuk e kam menduar të gatuarit si terapi. Pikë së pari mendoj se është përkujdesje për fëmijët, të dashurit dhe vetveten. S’më ka ndodhur deri më sot të ulem për të gatuar për të hequr mërzinë apo stresin, por kam gatuar për domosdoshmërinë e të ushqyerit. Ajo që më josh më së shumti në kuzhinë është fakti që e shikoj procesin e të gatuarit si proces kreativiteti që nuk ka fund, ai lidhet me shijet, aromat, ngjyrat, ndjesitë të cilat të japin mundësinë të fantazosh dhe të krijosh pa qenë kompozitor, shkrimtar apo piktor. A ka më bukur se ky proces, në dukje i rëndomtë, por në rëndësi jetik, i cili kalon nëpërmjet kreativitetit.
-Sa rëndësi i jepni shtrimit të tryezës, zbukurimit të pjatave? Pra cili është raporti mes përmbajtjes dhe formës?
Paraqitja e pjatave ka për mua rëndësi shumë të madhe. Në gjërat më të thjeshta, kam dëshirë që pjata të jetë sa më estetike dhe origjinale.
Dhe një gjë tjetër që kam mësuar nga një specialist francez i ushqimit, në një udhëtim që bënim përgjatë Nilit në Egjipt. Zotëria në fjalë ishte i ftuar, ashtu si dhe unë, në darka që shtroheshin çdo natë në një anije luksoze me tema të ndryshme. Një mbrëmje, darka tepër luksoze, u shërbye me disa drita të kuqe dhe jeshile, që deformonin dhe ngjyrat e ushqimit në pjatë. Vura re se të gjithë, përpara se të provonin pjatat, pyesnin njëri- tjetrin se çfarë ishin hajet nëpër pjata.
Atëherë miku ynë na tha: asnjëherë në restorantet e mira, drita nuk deformon shijen. Ushqimi, përpara se të provohet shikohet, nëse deformojmë ngjyrën e vërtetë të ushqimit, kemi deformuar paraprakisht atë që do shijojmë.
-Fantazinë në kuzhinë, e lini të lirë apo jeni një kuzhiniere që i përmbaheni në skrupulozitet recetave të provuara nga të tjerët apo qoftë edhe nga vetë ju?
Është shumë interesante, por unë nuk mbaj kurrë shënime recetash dhe nuk gatuaj kurrë me bllok përpara. Kur nuk kam ide të qartë se çfarë do të gatuaj, më mjafton të hap frigoriferin. Në bazë të përbërësve që kam në dispozicion, kompozoj recetën e radhës, pra futem në procesin e krijimtarisë së kushtëzuar dhe kjo më jep shumë kënaqësi, sa dhe vetë çuditem se si e bëra.
-A blini libra kuzhine, a i përdorni ato?
Librat e kuzhinës i shfletoj, por kurrë nuk u përmbahem.
-Një grua me siluetën tuaj, nënkupton me siguri përkujdesje: si e keni zgjidhur raportin e vështirë mes të shijuarit dhe siluetës së përkryer?
Kjo është një pikë e rëndësishme ku do të ndalem pak.
Kujdesi për një ushqim cilësor, nuk është thjesht një sakrificë për t’ia mbajtur gojës, por mbi të gjitha një njohje e mirë e cilësive ushqimore.
Unë e kam ndryshuar pothuajse 80 për qind mënyrën e të ushqyerit mbas njohjes me Hetemin, i cili, prej 30 vjetësh, ndër të tjera, studion mënyrën e të ushqyerit dhe është i përditësuar me gjithçka të re që botohet në revistat botërore më prestigjioze, në lidhje me shëndetin dhe të ushqyerit.
-Cili është thelbi i ndryshimit që keni bërë?
Ne jemi ajo që hamë. Nëse e kuptojmë këtë, kemi kuptuar thelbin e mirëqenies sonë shëndetësore. Kjo thënie për mua u bë mënyre jetese, e cila u kthye në disiplinë. T’i përmbahesh në mënyre rigoroze kësaj disipline, do të thotë të ndihesh më mirë, të jesh në formë të tillë fizike dhe mendore, për të qenë i dobishëm për familjen dhe shoqërinë.
-Cila është marrëdhënia juaj me “një gotë verë”?
Verës nuk themi jo, por vetëm verës të kuqe dhe të mirë. Një fjale e urtë thotë: “jeta është shumë e shkurtër për të pirë verë të keqe”.
-Rregullat në të ushqyer që i keni vendosur Ninës së vogël qysh kur ka lindur?
Nina e vogël, mbi të gjitha është ushqyer me gji deri 18 muajshe dhe mendoj kjo është gjëja më e mirë për një foshnjë, në të gjitha drejtimet. Për sa i përket rregullave është akoma e vogël. Unë jam e mendimit, që një fëmijë ka nevojë ta prekë ushqimin ndoshta dhe të luajë me të, kështu zbulon shijen, aromat, format, për rregullat kemi kohë, tani jemi akoma në fazën zbulimit të jetës. Unë nga natyra jam tolerante dhe i lë gjërat të rrjedhin natyrshëm për të marrë një ditë formën që duhet, por këtë t’ia lemë kohës.
Ju rrëfej rregullat e kuzhinës sime…
Nuk është fjala të privohesh nga disa ushqime, të cilat megjithëse janë të shijshme, jemi të ndërgjegjshëm që bëjnë dëm për shëndetin, por është fjala për të ndërtuar një listë të atyre ushqimeve që ndihmojnë një shëndet të mirë dhe të ekuilibruar. Nëse i përmbahemi kësaj disipline, nuk do kemi probleme edhe me siluetën.
-në shtëpinë tonë nuk përdoret kurrë qumështi dhe produktet e bulmetit, pothuajse fare, përveç kosit.
-Mishi i kuq ka kohë që është hequr nga tavolina (më vjen çudi që unë konsumoja mish pa fund dhe mendoja se nuk do jetoja dot pa të.)
-Ne nuk kemi kurrë sheqer në shtëpi dhe ëmbëlsira vetëm me raste.
-Perimet konsumohet pa fund dhe sidomos brokoli, avokado, panxhari i kuq, erëzat jeshile, domatja e pjekur mirë, xhenxhefil, specat djegës etj., etj.
-Fruta pa fund, sidomos mollë, ananas, rrushi i kuq, shegë (në përgjithësi frutat e kuqe, që janë dhe antioksidantë) limona, qitro etj.
-Drithërat në forme cerealesh, sidomos thekra.
-Frutat e thata, arra, bajame, farërat e ndryshme.
-Çokollata sa më e zezë e mundur.
-Asnjë lloj yndyre, pak vaj ulliri, por asnjëherë i skuqur.
-Gatim me avull, i zier ose i pjekur, por kurrë i skuqur.
-Peshk i egër, por jo shumë shpesh, për shkak të përqindjes së mërkurit.
-Sa më shumë fasule dhe thjerrëza.
-Sa më shumë qepë të kuqe dhe hudhra.
Këto janë disa rregulla bazë të ushqimeve që ne përdorim dhe më besoni, që nuk bëhet fjalë për të mbajtur linjën, por për të ruajtur shëndetin.
Intervistoi Arta Marku/ Fotografia: Suela Zani/ Revista Shije