Si kanë ndryshuar çmimet e apartamenteve në bregdet pas tërmetit dhe gjatë pandemisë? Agjencitë kryesore të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimet e apartamenteve në Durrës, Sarandë, Vlorë nuk kanë ndryshuar. Ulje të lehtë kanë pësuar çmimet e apartamenteve që rishiten në Golem, Shkëmbin e Kavajës dhe Qerret, pasi pronarët e tyre që jetojnë në Tiranë, Elbasan apo Fier, nuk po i përdorin në muajt e verës.
Rritje të kërkesës dhe të çmimeve deri në 20% të apartamenteve, aktualisht ka pasur për zonat rezidenciale, si Gjiri i Lalëzit dhe Qerret. Lulëzon tregu i vilave. Rritet me 30% kërkesa për vila në zonat elitare të Rivierës. Çmimet për vilat e mëdha në Gjirin e Lalëzit dhe në Ksamil janë rritur dhe arrijnë deri në 1 milion euro. Për shkak të koronavirusit, turistët e huaj deri në 30 qershor kanë anuluar 100% rezervimet për dhoma hoteli dhe apartamente me qira në Sarandë.
Nga Dorina Azo: Situata në tregun e pasurive të paluajtshme në zonat bregdetare të vendit tonë i ngjan teorisë së Darvinit mbi specie ku dobësia e një lloji forcon llojin tjetër. Kështu, edhe në zonat e bregdetit shqiptar, falimentimi dhe fatkeqësia e njërit mund të jetë një mundësi apo sukses për një tjetër.
Situata e koronavirusit në Shqipëri ka shtuar pasigurinë dhe kaosin që edhe pa COVID-19 është i pranishëm në çdo sektor. Nuk bën përjashtim as tregu i pasurive të paluajtshme në bregdetin shqiptar dhe në zonat e lakmuara turistike, ku çmimet e apartamenteve nuk janë ulur, edhe pse aktorët e tregut pohojnë se është ende herët për të thënë me siguri si do të vijojë situata.
Ende sot nuk dimë se kur do të hapet sezoni turistik, nëse do të vijnë apo jo turistë të huaj për shkakun e një pikëpyetje që ka qeveria për pranimin e tyre apo jo, kush do ta mbulojë hapësirën e mundshme në të ardhura që lënë të huajt kur vijnë në Shqipëri dhe marrin me qira prona të paluajtshme si banesa, hotele, vila etj.
Tregu i këtyre pasurive është padyshim më i vështirë nga bizneset e tjera, për shkak të vlerave monetare të konsiderueshme që shkojnë për blerje të apartamenteve nga 35 mijë euro deri në 200 mijë euro dhe të vilave nga 400 mijë deri në 1 milion euro. Vlera e 1 milion eurove, për vendin tonë, sipas menaxherëve të shitjeve, lidhet me vilat individuale në zona elitare turistike në Gjirin e Lalëzit dhe në Ksamil.
Që dikush të kërkojë dhe të blejë prona të paluajtshme në shifra relativisht të shtrenjta për realitetin shqiptar duhet të llogarisë qëndrueshmërinë në punë dhe në të ardhura personale dhe familjare, ndërsa situata të paparashikuara si kjo e pandemisë i ndërlikojnë edhe më shumë gjërat, që asnjëherë nuk janë të thjeshta për realitetin tonë.
Edhe pse logjika ekonomike kërkon që Shqipëria të ketë tashmë një treg me çmime më të favorshme për pronat e paluajtshme, për shkak të situatës së pandemisë, kjo nuk reflektohet as në tregun e qendrave rezidenciale, ku çmimet janë rritur 10-20%, as në tregun e vilave, ku kërkesa është në rritje dhe ajo e apartamenteve në plazhin e Durrësit, Golemit, Shkëmbin e Kavajës, Vlorës dhe Sarandës, ku çmimet nuk janë ulur.
Dritan Caka, CEO në kompaninë Devinf, një nga më të vjetrat në treg, thotë se në këtë periudhë pandemie nuk ka rritje të çmimeve të apartamenteve individuale në bregdet, siç është Golemi apo Saranda. “P.sh., nëse në një pallat në Sarandë ka mbetur pa u shitur ndonjë apartament, kërkesa nuk është e lartë. Në Vlorë, brenda në qytet, ndodhen komplekse me 3-4 pallate për cilat ka shumë kërkesa”.
Për sa u përket çmimeve, ai sqaron se ato variojnë sipas zonave. “Në Gjirin e Lalëzit, çmimet janë 1000, 1200 deri në 1300 euro/m², në varësi të largësisë nga vija e detit. Duhet theksuar se edhe brenda komplekseve rezidenciale ka diferencë çmimesh për shkak të pamjeve. Në 5-6 komplekset e fshatrave në Qerret, çmimet vitin e kaluar ishin 800-900 euro/m². Për këtë vit, çmimet janë 1000-1100 euro/m². Në Vlorë, në vijën e parë të Lungomares si dhe në zonën mbi vilat qeveritare, ka rritje të çmimeve, kurse në zonat e tjera çmimet nuk kanë ndryshuar”, deklaron Dritan Caka.
Rriten çmimet në zonat rezidenciale në bregdet
Ai thotë se kërkesa dhe çmimet në zonat rezidenciale janë rritur. “Pandemia ka ndikuar në forcimin e kërkesës, sepse gjatë karantinës shumica e popullatës u izolua në pallate, por në vendet bregdetare rezultoi se pavarësisht karantinës, jeta po zhvillohej më e lirë, duke ofruar mundësinë për të dalë më tepër. Aktualisht çmimet janë rritur, në disa zona rritja është 10% dhe në të tjera 20% në krahasim me një vit më parë.
Rritja e çmimeve ka ndodhur vetëm në komplekset rezidenciale që ofrojnë komoditet, parkim, siguri, lojëra për fëmijë. Nëse komplekset rezidenciale do të jenë po këto në numër, çmimi i pronave në to do të vazhdojë të rritet.
Por nëse do të kemi ndërtime të reja të komplekseve rezidenciale, kjo mund të frenojë rritjen e çmimeve, si dhe mund të ketë ndonjë rënie. Për momentin nuk parashikohet rënie e çmimeve” – pohon zoti Caka.
Por Golemi është më i lirë
Arjan Gjuzi, broker në agjencinë “Century 21 EON”, i cili operon në Durrës shprehet se çmimet e apartamenteve në zonën e plazhit, në Shkëmbin e Kavajës, Golemit dhe Qerretit kanë rënë 5% në krahasim me vjet. Zoti Gjuzi sqaron se arsyeja e rënies është mospërdorimi i këtyre apartamenteve nga pronarët që jetojnë në Tiranë, Fier apo Elbasan.
“Nuk mund ta them arsyen e rënies së çmimeve, prej COVID-19 apo për shkak të tërmetit, pasi është ende e paqartë. Në plazh ka ende stok të madh apartamentesh, që nuk janë shitur, dhe ndërtimet e reja janë shumë të pakta. Ulja më e madhe e çmimeve është tek apartamentet që rishiten nga qytetarët që nuk janë nga Durrësi, pasi nuk i përdorin më. Pas tërmetit nuk pati luhatje të çmimeve për apartamentet të cilët nuk u dëmtuan. Ndërsa pas pandemisë, ecuria e çmimeve mbetet për t’u vlerësuar, pasi është ende herët për të thënë se çfarë do të ndodhë”, deklaron zoti Gjuzi.
Të huajt, interes nga hungarezët
Në këtë periudhë pandemie, kërkesa për blerje apartamentesh në Durrës vazhdon të mbetet e njëjta si para koronavirusit. “Bëhet fjalë për apartamentet që nuk janë të dëmtuara nga tërmeti dhe kjo i ka bërë më të besueshme si pronë. Kërkesa për blerje apartamentesh në këtë periudhë ka pasur, sidomos nga shtetasit hungarezë”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Century 21 EON”.
Sipas tij, në zonën A, ku ndodhen apartamentet në vijën e parë të bregut të detit në plazhin e Durrësit, çmimet variojnë 700 deri në 1000 euro/m². Në zonën B, që është brezi i dytë dhe i tretë i apartamenteve para detit, çmimet variojnë 450-650-700 euro/m². Në zonën C, ku ndodhen apartamentet në vijën e parë, por nga krahu i rrugës, çmimet janë 450 deri në 650 euro/m².
“Në Golem nuk ka shumë ndërtime të reja, por janë në rishitje të gjitha pronat e blera më parë nga qytetarët nga Tirana, Fieri, Elbasani si dhe nga Kosova. Në vijën e parë, çmimet janë 700, 800 deri në 1000 euro/m². Ndërsa në vijën e dytë dhe të tretë, çmimet vriojnë nga 450 euro/m² deri në 600 euro/m², por kjo varet edhe nga viti i ndërtimit”.
Çmimet e apartamenteve, Saranda mbetet më e shtrenjta
Edhe çmimet e apartamenteve në Sarandë nuk kanë janë ulur në këtë periudhë pandemie. Eron Çumani, drejtues i agjencisë “Saranda Invest Property”, shpjegon se arsyeja e mosndryshimit të çmimit është se ndërtuesit po presin se si do të jetë kërkesa pas koronavirusit.
“Aktualisht vërehet se është rritur kërkesa, por është ulur buxheti i të interesuarve. Para pandemisë, në varësi të buxhetit të klientëve, ne sugjeronim apartamentet apo vilat. Buxhetet ishin të konsiderueshme 35,000 – 200,000 euro (për apartamente) dhe 100,000-500,000 euro (për vila). Kjo kategori blerësish kryesisht investojnë në objekte të reja banimi, pasi është rritur cilësia dhe standardi i ndërtimit”.
Në Sarandë, çmimet nisin nga 800 euro, duke iu referuar distancës të largët nga bregu, që variojnë 1000-1500 euro në breg të detit. “Aktualisht nuk kemi ulje të çmimeve. Në disa raste është aplikuar edhe çmimi 2000 euro/m². Çmimi që zhvilluesit po aplikojnë, sigurisht nuk është i justifikueshëm dhe konkurrues dhe për këtë grup blerësish. Ndërtuesit e justifikojnë rritjen e çmimeve me rritjen e lëndëve të para të ndërtimit e taksave, si dhe shumë shpenzime burokratike për marrjen e lejeve për ndërtim.
Një grup i vogël janë blerësit vendas në Rivierën Shqiptare (5 deri në 10%). 90% e blerësve janë të huaj. Qasja e tyre ndaj tregut të pasurive të paluajtshme në Rivierë merr shkas nga klima dhe natyra e virgjër deri diku e bregdetit, por kryesore ka qenë çmimi ekonomik”, pohon Çumani.
Eron Çumani, nga agjencia “Saranda Invest property”, ngre edhe shqetësimin se si po punojnë ndërtuesit që nga informaliteti i lartë dhe standardet larg tregut ndërkombëtar, të cilat pritet të shkaktojnë një gropë të madhe financiare. “Shumë kantiere janë në proces ndërtimi. Është ndier mungesa e likuiditetit dhe ritmi i ndërtimeve është ulur, pasi ndërtuesit presin prenotime. Kjo ndodh pasi shumë prej tyre kryejnë ndërtime në informalitet të plotë. E them me përgjegjësi të plotë se po shkojnë drejt një grope të madhe, sepse tregu ndërkombëtar me të tilla çmime ofron më shumë ambiente banimi shumë konkurruese nga cilësia dhe standardi i ndërtimit”, shprehet ai.
Paralajmërimi
Shumë kantiere janë në proces ndërtimi. Është ndier mungesa e likuiditetit dhe ritmi i ndërtimeve është ulur, pasi ndërtuesit presin prenotime. Kjo ndodh pasi shumë prej tyre kryejnë ndërtime në informalitet të plotë. E them me përgjegjësi të plotë se po shkojnë drejt një grope të madhe, sepse tregu ndërkombëtar me të tilla çmime ofron më shumë ambiente banimi shumë konkurruese nga cilësia dhe standardi i ndërtimit
Rriten kërkesat për vila në bregdet
Ermal Demaj, drejtor i shitjeve në “Balfin Real Estate & Hospitality”, thotë se kërkesat për projektet e grupit janë rritur me 30% që në një kohë jo shumë të largët do të sjellë me gjasë dhe rritje të çmimeve. “Për sa u përket çmimeve, momentalisht nuk ka ndryshim të tyre dhe vazhdojnë të jenë të njëjtat si më parë. Sigurisht që kërkesa në rritje dhe zhvillimi i fazave të ndërtimit të këtyre projekteve do të ndikojë në rishikimin e tyre në një të ardhme jo të largët.”
Përfaqësues të agjencive kryesore në vend pohojnë se rritja e kërkesës për vila individuale ka ardhur për shkak të komoditeteve, sigurisë, ambienteve luksoze që ofrojnë. Zoti Demaj, drejtor i shitjeve në “Balfin Real Estate & Hospitality”, jep këto arsye për rritjen e kërkesës.
“Së pari, për shkak të pandemisë dhe kushteve të krijuara, ku fokusi është përqendruar në turizmin brenda territorit të Shqipërisë, njerëzit kanë menduar dhe projektuar realisht për të investuar në një pronë të dytë. Pandemia ka ndikuar jo vetëm në rritjen e interesit për blerje pronash në bregdet, por edhe në qiradhënie. Shumica e të interesuarve kanë shprehur interes të menjëhershëm për blerje prone jo vetëm për banim apo pushime, por edhe si mënyrë eficente investimi për të gjeneruar të ardhura.
Së dyti, çdo ditë e më tepër po i jepet shumë rëndësi shkëputjes dhe distancimit nga qendrat e banuara, duke i orientuar në këtë mënyrë kërkesat drejt këtyre projekteve.
Së treti, standardet e larta të mirëmbajtjes, administrimit dhe sigurisë në këto projekte të mirëmenaxhuara i kanë bërë këto prona më tërheqëse tek blerësit, që i shikojnë si investim dhe burim të sigurt të ardhurash nga qiradhënia e tyre”, pohon Demaj.
Edhe Aleksandra Popli, menaxhere shitje tek “Alba Beton”, si pjesë e grupit “Concord Investment”, konfirmon rritjen e kërkesës dhe transaksioneve në këtë periudhë karantine për vila në resortin “San Pietro” në Gjirin e Lalëzit.
Klajdi Memajdini, menaxher shitje në agjencinë “Devinf”, thotë se tërmeti dhe pandemia nuk kanë ndikuar te rënia e kërkesës, sidomos për vilat individuale që mbetet e lartë në Gjirin e Lalëzit dhe Qerret. Zoti Memajdini pohon se çmimet e vilave në Gjirin e Lalëzit kanë arritur deri në 1 milion euro.
“Çmimet janë pothuajse të njëjta me vitin që kaloi, për shkak dhe të pandemisë ndoshta. Me këtë kërkesë që është aktualisht, mendoj se do të rriten shumë shpejt. Çmimet e pronave variojnë nga 900, 1800 deri në 2,200 euro/m2 në Gjirin e Lalëzit. Flasim gjithnjë për prona që ndodhen brenda komplekseve rezidenciale, pasi ato kanë më shumë interes.
Edhe për vila ka pasur një kërkesë të lartë, sidomos për vila individuale. Në përgjithësi ka pasur një mungesë tregu për vila të tilla, pasi në përgjithësi, janë ndërtesa trekatëshe që janë me duplekse ose apartamente. Kjo ka sjellë dhe rritje të çmimit, duke variuar nga 400,000 euro deri edhe në 1,000,000 euro që janë vila elitare”, deklaron ai.
Zona e Qerretit dhe Gjiri i Lalëzit mbeten, sipas tij, më të parapëlqyerat, për shkak të distancës së afërt dhe cilësisë së komplekseve rezidenciale. “Gjiri i Lalëzit mbetet në krye për momentin, pasi është një zonë kryesisht me ndërtime të ulëta dhe shumë pak pallate. E vetmja problematikë që shfaqin klientët është vetëm rruga, me pak devijime për shkak të kthesave të shumta.”
Sipas Klajdi Memajdinit, Durrësi nuk ka mbingopje me ofertën te komplekset rezidenciale dhe për këtë arsye dhe çmimet janë në rritje.
Rritja e kërkesës për vila në Rivierë konfirmohet edhe nga përfaqësues të tjerë të agjencive, por për ta çmimet mbi 1 milion euro janë të ekzagjeruara. “Kemi një fenomen shumë të ekzagjeruar për një grup të vogël investitorësh që aplikojnë çmime mbi 1,000,000 euro për vilë”, pohojnë përfaqësues të real estate në bregdet.
Zoti Gjuzi thotë se gjatë kësaj periudhe janë rritur kërkesat për vila me qira në zonën e Lalëzit. “Gjatë karantinës kemi pasur kërkesa për vila dhe apartamente me afat 1 deri 3 muaj. Për vilat e pushimit, kërkesat kanë qenë për 6 mijë euro dhe 8 mijë euro për 3 muaj”, thotë përfaqësuesi i kompanisë “Century 21 EON”.
Vilat
Në përgjithësi ka pasur një mungesë tregu për vila të tilla, pasi në përgjithësi, janë ndërtesa trekatëshe që janë me duplekse ose apartamente. Kjo ka sjellë dhe rritje të çmimit, duke variuar nga 400,000 euro deri edhe në 1,000,000 euro që janë vila elitare
Ulen çmimet e hoteleve në Sarandë, të huajt anulojnë rezervimet deri më 30 qershor
Qyteti i Sarandës, për herë të parë do të vuajë mungesën e turistëve të huaj. Për shkak të koronavirusit, turistët e huaj nuk do të jenë të pranishëm deri më 30 qershor. Eron Çumani, nga agjencia “Saranda Invest property”, thotë se për shkak të kufizimit të lëvizjeve nga koronavirusi, në Europë dhe vende të tjera, rezervimet për apartamente me qira dhe dhoma hoteli janë anuluar.
“Në tregun e akomodimeve (qira sezonale) dhoma, apartamente pas një sezoni turistik të suksesshëm, pritshmëritë ishin për rritje të kërkesave 25-30% për sezonin e këtij viti. Deri më 30 qershor, rezervimet janë anuluar 100%. Vitet e fundit, në këtë qytet, 70-80% e pushuesve kanë qenë shtetas të huaj. Periudha maj – qershor, përveç çmimeve të mira ekonomike dhe klimës shumë të mirë për pushuesit, ishte dhe një mundësi e mirë për t’u aktivizuar dhe për të rritur të ardhurat e bizneseve turistike.
Por edhe një mundësi e mirë për stafin e tyre për t’u kualifikuar dhe për t’u përshtatur me shërbimet që ata ofrojnë. Por me keqardhje pohoj se anulimet vazhdojnë dhe rezervimet janë të rralla. Shkaku është se në të gjitha shtetet vazhdojnë masat kufizuese të lëvizjeve.
Mosaktivizimi i sistemit Schengen (lëvizja e lirë e qytetarëve brenda kësaj zone dhe jo vetëm), sigurisht do të na penalizojë duke ulur ndjeshëm pushuesit nga vendet respektive”, pohon Çumani. Për t’i mbijetuar krizës dhe dëmeve që po shkakton koronavirusi veçanërisht te turizmi, pronarët e hoteleve këtë vit do të aplikojnë ulje të çmimeve në Sarandë.
“Jemi optimistë për muajt korrik-gusht-shtator. Për këtë janë aplikuar për të gjitha akomodimet, paketa të ndryshme shërbimi deri në 30% zbritje. Të shumtë janë pronarët e akomodimeve, bashkëpunëtorët tanë që kanë mirëpritur këtë këshillë. Nisur nga fakti i rritjes të kërkesës në hoteleri–turizëm në vitet e fundit, janë të shumtë individët që investuan në kapacitetet akomoduese në objekte ekzistuese dhe të reja.” /Monitor/