Një nga shqiptaro-italianët më aktivë për çështjen e Shqipërisë në Itali, trajton teorinë e preferuar të diskutimit publik mbi qeverisjen në Shqipëri se populli meriton qeverinë që ka.
Nga Gentian Alimadhi
Nuk besoj se ka ndonjë ndyshim thelbësor mes dy mundësive të përfshira në titull, pasi ato duken të ndërvarura njëra me tjetrën. Megjithatë, nuk do doja të ngutesha në dhënien e përfundimit tim personal, por do doja të ndaja me lexuesit këndvështrime të ndryshme mbi temën.
Që nga Italia, ku jetoj prej vitit 1993, përplasem me informacione dhe ndjesi të ndryshme mbi gjendjen në Shqipëri, të cilat vijnë përveç medias, nga bashkëkombas të atjeshëm, por edhe nga ata që jetojnë këtu, të cilët me të drejtë quhen italo-shqiptarë.
Të parët interesohen mbi mundësinë e një rikthimi në Itali, me shpresën për të rifituar lejen e qëndrimit braktisur shumë vite më parë. Shumë prej tyre u kthyen nga Italia për të ndërtuar një të ardhme dhe familje të re në vendlindjen e tyre, por pa sukses.
I pyes të gjithë mbi arsyen e largimit nga Shqipëria. Më kujtohet një thirrje në telefon pak kohë më parë, ku vura re foton e klientit tim të hershëm, tashmë më i lodhur në fytyrë, me dy fëmijë të vegjël të ngarkuar në secilin krah. Në konfidencë e pyeta “mos vallë mbaruan makaronat në Shqipëri që do të rikthehesh në Itali?”. Menjëherë dhe spontanisht m’u përgjigj “këtu nuk ka më as dhé për të ngrënë e jo më makarona”.
Çuditem më shumë, kur familje të reja, vijnë për herë të parë në studion time dhe, megjithëse me të ardhura të kënaqshme, pasi ushtrojnë aktivitete të pavarura apo punojnë në administratën publike ose kompani të fuqishme private, më kërkojnë mundësinë e sistemimit përfundimtar me dokumenta për gjithë familjen.
Kërshërisë sime të pashmangshëm i përgjigjen të gjithë me të njëjtat shprehje: “avokat, nuk vijmë për veten, se një çapë bukë e hamë edhe atje, por po e bëjmë këtë sakrificë për fëmijët. Nuk duam të na rriten me kulurën e atjeshme, atje nuk ka të ardhme, ai vend nuk bëhet!”.
“Ai vend nuk bëhet!”. Duket si një arsye që përdoret pa qeder nga të gjithë, sikur të ishte një shprehje e modës, e cila po i reziston me forcë viteve që kalojnë me nxitim.
Për të plotësuar “sondazhin” tim të sikletshëm, shpesh flas me italo-shqiptarët dhe kujtoj në veçanti njërin prej tyre, rreth 35 vejçar. Këto ditët e karantinës më dërgon një mesazh me elozhe për kryeministrin e tanishëm, duke e çmuar si burrështetasin më të madh të Shqipërisë dhe, për t’i vënë vulën diskutimit mbi politikën, më pyet a merrem me viza amerikane, se nuk rrihet më as në Shqipëri dhe as në Itali.
Dikush tjetër thurr lavde për Sali Berishën, duke plotësuar kështu thuajse gjithë kuadrin e tifozerisë të një stadiumi politik.
Nuk mund të qëndroj indiferent përpara kësaj drame që konsumohet prej vitesh, një hemoragji demografike që përfshin mbi të gjitha brezat e rinj, gjenerata për të cilën çdo shtet projekton të ardhmen e vet.
Shqetësimi im rritet më shumë kur para syve më qarkullojnë shprehjet e modës: “atje nuk ka të ardhme, ai vend nuk bëhet”.
Lind natyrshëm pyetja, përse duhet të ndodhë kjo dukuri, vërtet jetohet kaq keq në Shqipëri?
Përballë kësaj pyetjeje, mundohem të vendos pak rregull mbi konfuzionin tim mendor, duke ju pëgjigjur vetes: unë për vete, argëtohem në ato pak ditë apo javë që shkoj për punë apo pushime. Në fund të fundit, pse duhet të shqetësohemi, gjithë bota lëviz, spostohen amerikanët, gjermanët dhe francezët, dhe jo më neve. Pse duhet ta shohim ne si dukuri negative?
Pastaj më shkon mendja tek ai klienti që thotë se atje tashmë mungon edhe dheu për të ngrënë.
Mbase jemi të mallkuar të vuajmë dhe të braktisim atdheun meqë ai vend nuk bëhet më, apo mund të shpresojmë që gjithmonë varet nga veprimet e individit, sepse në fund të fundit njeriu është ithtar i fatit të tij.
Po çfarë kanë bërë populli ose qeveria për ta ndaluar këtë dukuri? Pra, më bren dilema e hershme: çdo popull ka qeverinë që meriton apo çdo qeveri ka popullin që meriton?
Në këtë pikë ndjej nevojën të thelloj arsyetimin, duke kuptuar shkaqet dhe përgjegjësitë dhe, në fund ndoshta të propozoj zgjidhje të mundshme.
Është çështje tejet komplekse dhe nuk mund të shtjellohet me dy batuta, por do të mundohem ta sintetizoj analizën time modeste, pa emocione dhe pa anshmëri.
Do ta filloj duke analizuar përgjegjësitë që i përkasin pikërisht dy aktorëve kryesore që përcaktojnë këtë çështje; popullit, nga njëra anë, dhe klasës politike, nga tjetra.
Përgjegjësitë e popullit shqiptar mbi gjendjen, në të cilën ndodhemi nuk përkojnë patjetër me veset që përcakton jo pa humor gazetarja angleze Alice Taylor apo me ato më të hershme të Eqrem Bej Vlorës.
Shumë virtyte të shqiptarit të kultivuara në shekuj na bëjnë sot të ndihemi krenar për shpirtin luftarak të dëshmorëve të rënë për liri, për ndjenjën e përkatësisë ndaj atdheut dhe flamurit, për mikpritjen, e kështu me radhë.
Në qoftë se do të ndanim me faza kohore përgjegjësitë e popullit, do doja ta përjashtoja atë periudhën 50-vjeçare të diktaturës, periudhë në të cilën nuk mund të pretendonim rebelimin në kërkim të lirisë apo demokracisë në kushtet e një regjimi anti njerëzor. Unë do të përqëndrohem në përgjegjësitë e popullit pas vitit 1990.
Natyrisht, edhe në këtë fazë historike, mungesat ose “defektet” që mund të mbartëte shqiptari ishin natyrisht produkt i drejtpërdrejt i periudhës paraardhëse.
Në radhë të parë, njeriu krijoi një raport të çuditshëm me lirinë. Liria, e nënkuptuar si aftësia e subjektit për të vepruar (ose për të mos vepruar) pa kufizime ose pengesa të jashtme, dhe për të vetëvendosur duke zgjedhur në mënyrë të pavarur qëllimet dhe mjetet për t’i arritur ato, mbërriti në sytë dhe shpirtin e etur të shqiptarit pas një errësire 50-vjeçare, para së cilës, gjithashtu, nuk kishte patur ndonjë shkëlqim të tyre.
Dimë tashmë, që regjimi diktatorial, nën moton e krijimit të “njëriut të ri socialist”, i imponoi gjithë popullit të vishnin një “këmishë të hekurt”, pa ia marrë kurrë masat e trupit. Asnjë nuk mund të shpëtonte pa e veshur, dhe ata që e refuzuan u eliminuan fizikisht apo u burgosën.
Të mbijetuarit e ‘90-ës dolën nga ajo periudhë e errët të deformuar, me deformim mendor që ende sot shprehet tek mbi 40-vjeçarët me efekte të padëshirueshme si mosbesimi ndaj njëri-tjetrit; dëshira për t’u drejtuar nga udhëheqës “të fortë” e “karizmatikë”; deformimi i raportit ndaj pronës private dhe asaj së përbashkët; mungesa e një balance brenda polarizimit mes kompleksit të inferioritetit dhe superioritetit; mania e persekutimit dhe mungesa e kujtesës, pra mosnjohja e historisë së vërtetë kombëtare dhe ndërkombëtare; mungesa e vetëdijes dhe mospranimi i limiteve të gjithësecilit; paragjykimi qè paraprin njohjen; patriotizmi i shprehur vetëm në raste ndeshjesh të rëndëshishme futbolli; euforia ndaj opinionit pozitiv, por në thelb të rremë, nga ana e të huajve për Shqipërinë; mendësia tashmë 30 vjeçare (por edhe shekullore) që Shqipërinë mund ta shpëtojë vetëm Amerika; vazhdimi i thurrjes të këngëve për udhëheqësit politikë, e të tjera.
Kombinimi i gjithë këtyre karakteristikave, nëse mund t’i quajmë vese apo mangësi të vetë popullit, ndikon në mënyrë indirekte, apo direkte, në pranimin dhe mbartjen e përgjegjësive për gjendjen në të cilën ndodhemi ende sot.
Me një popull të tillë, gjjithkush mund të mendojë, se cilado klasë politike do kishte vështirësi të premtonte më shumë seç ka dhënë klasa politike shqiptare. Pra, në këtë prizëm vlen teoria “çdo popull ka qeverinë që meriton”.
Ky kusht lejon një këndvështrim tjetër, sipas së cilit një popull i tillë nuk do të pretendonte garantimin e të drejtave që i takojnë dhe nuk do t’i impononte klasës politike një demokraci të pranueshme.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është: si mund të pastrohet, korrigjohet populli nga këto të vese ose mangësi?
Le të shohim tani anën tjetër, përgjegjësitë e klasës politike.
Është e qartë se shumë kohë është humbur në ndreqjen e veseve të masës dhe asnjëherë (të paktën në 30 vitet e fundit) nuk është tentuar për kryerjen e një pune për së mbari nga elita politike.
Përtej ndërmarrjes së një reforme reale në fushën e ekonomisë së tregut, në planin human, mungesa më e madhe ka qenë mos rivendosja e një ekuilibri midis popullit, nga njëra anë, dhe klasës politike, nga ana tjetër.
Do ndaloja në mungesën e fundit duke theksuar se në historinë tonë dy palët shpesh janë afruar me njëra tjetrën, por shumë herë janë vendosur në dy ekstreme, në varësi të kontekstit politiko-shoqëror, në të cilin kanë bashkëjetuar. Ky fenomen i veçantë i përket periudhës së diktaturës, ku palët u shndëruan në dy klasa të mëdha, dy ekstreme, pothuajse të barabarta në numër, si klasa e të privilegjuarve (persekutuesit) dhe ajo anti-pushtet, e ashtëquajtur “klasë e të persekutuarve”.
Aristoteli na mëson se “njeriu i lumtur dhe shoqëria e drejtë ekziston, kur kërkohet ekuilibri mes dy ekstremeve”.
Kjo zgjidhje e magjishme e filozofit të lashtë kuptohet që nuk mund të pretendohej menjëherë në Shqipërinë e pas ‘90-ës, për faktin e thjeshtë se kalimi nga ky regjim u menaxhua nga e njëjta palë, ajo e persekutorëve, natyrisht e paaftë (jo e pafuqishme) për të aspiruar ekuilibrin e domosdoshëm.
Për hir të së vërtetës, të kundërtën nuk mund ta provojmë kurrë, pra nuk mund të jemi të sigurtë që një rezultat i ndryshëm do të na ofrohej, nëse atë moment historik do e menaxhonte ekstremi tjetër, pra të persekutuarit që u shtypën apo eleminuan fizikisht nga ekstremi kundërshtar.
Duhet nënvizuar që këta të fundit, të trashëguar tashmë nga fëmijët apo nipërit e tyre, sado të trashëgonin në genet e tyre doza fisnikërie nga të parët e tyre, prapë se prapë, do të ishin të pafuqishëm për të konkuruar me “armë” të barabarta dhe demokratike në rishkrimin e tapive të pushtetit tashmë në zotërim të fëmijëve apo nipërve të palës tjetër.
Duke ju përmbajtur kontekstit historik, kam bindjen që një nga përgjegjësitë dhe papjekuritë e pafalshme të qeverive të pas ‘90-ës është pikërisht mospajtimi i dy ekstremeve që do mund të arrihej thjesht duke i ofruar palës së lënduar mundësinë simbolike për të falur palën persekutuese.
Ky “luks” nuk ju mundësua kurrë të lënduarve. Mbase tregohem disi naiv ta mendoj këtë hap diçka të thjeshtë dhe simbolike dhe të neglizhoj shkaqet e mosarritjes, por jam akoma i bindur që do të mjaftonte një gjest i thjeshtë për të arritur pajtimin e neglizhuar.
Historia tregon se vëndet ish-komuniste që arritën këtë pajtim arritën një ekuilibër të dukshëm mes dy ekstremeve.
Naiviteti im bie ndesh me shkaqet e kësaj mosarritje, të cilat mund të gjehen, përveç se në atë këmishën e hekurt që trajtuam më sipër, edhe në frikën e llogjikshme, si edhe mosnjohjen, nga ana e vet persekutuesve, të reagimit që mund të kishin viktimat, jo shumë nga një ndëshkim në sensin fizik të fjalës sesa nga një bashkëndarje (apo humbje) të mundshme të pushtetit politik dhe atij ekonomik.
Celestine Chidiebere Ezemadubom me librin e tij “Shërimi i kujtesës: sekreti i lirisë së vërtetë dhe i një jete të lumtur”, në intepretimin liturgjik që i bën fenomenit të faljes, pasi e konsideron atë të vështirë për t’u arritur, jo vetëm kur bëhet fjalë për gjenocide të ashpra si Holokausti, Ruanda apo Tibeti, shton se pajtimi bëhet i pamundur edhe kur fajtorët nuk duan të kërkojnë apo të pranojnë faljen.
Por, ideja e faljes është e lidhur ngushtë me “pendimin”. Është pendimi ai që largon çdo ndjenjë hakmarrjeje dhe lejon faljen ndaj trasgresorit.
Kjo është një arsye tjetër që justifikon mos arritjen e pajtimit të munguar në Shqipëri: pendesa.
Natyrisht, edhe ky defekt mendoj e ka shpjegimin e vet, jo vetëm në vetë natyrën njerëzore, gjithmonë e prirur të mos pranojë kurrë gabimet e saj, por ky fenomen, është më i theksuar në komunitetet, ku mungon krejtësishit besimi tek Zoti.
Nën regjimin otoman nuk besoj se pendesa ishte një praktikë e kultivuar nga Zoti i tyre dhe në periudhën e regjimit komunist besimi tek Zoti u zëvendësua me besimin tek “nëna parti”, kurse marrja e fajit dhe pendimi merreshin nën torturë.
Të gjitha këto arsye apo edhe vetëm njëra prej tyre bënë të mundur atë që sot të ndodhemi akoma përballë dy klasave, të shndërruara në fizionomi krahasuar me dy klasat e periudhës diktatoriale (sot gëzojnë liri të fjalës dhe të qarkullimit), por jo në thelb përderisa qëndrojnë gjithmonë të ndara në dy ekstreme, largësi nga njëra tjetra që matet në përpjestim të drejtë me varfërimin e njërës palë në favor të pasurimit të pangopur të tjetrës; kjo e fundit e pavetëdijshme që tashmë ka kaluar në overdozë prej pushtetit ekonomik dhe politik gjë që e bën të mohojë dhe të shkëputet çdo ditë e më shumë nga realiteti i hidhur.
Duke u rikthyer tek përgjegjësitë dhe për t’i dhënë zgjidhje dilemës fillestare, më vjen në mendje një shprehje e urtë shqiptare: “fëmija është pasqyra e prindërve”. Prindërit e një populli janë elita politike që e drejton atë, pra qeveria me institucionet përkatëse.
Në qoftë se edukohet keq fëmija, ai rritet me vese duke krijuar probleme për vetveten, por edhe për shoqërinë, në të cilën jeton. Aftësia e një prindi qëndron në stimulimin tek fëmija të pjesës pozitive që karakterizon çdo fëmijë apo qenie njerëzore në përgjithësi.
Shpesh vë re me dhimbje në rrjetet sociale reagimin e egër dhe sipërfaqësor të një publiku të ekzaltuar nga mediokriteti, kur ndokush bën detyrën e qytetarit të ndershëm dhe jo të tifozit prej stadiumi, pra kur thjesht shpreh sensibilitetin e tij të bezdisur pas propozimit të një ligji apo edhe thjesht një gjesti të ndërrmarrë nga e atyre që duhet të qeverisin.
Është e vërtetë që edhe publiku, nga ana e vet, është tashmë i çorientuar dhe nuk di si të reagojë përballë trysnisë së kritikëve, apo pseudo të tillëve që, për të siguruar privilegjet e tyre personale apo edhe thjesht bukën e gojës, i shërbejnë me verbëri “punëdhënësit” të radhës.
Këta pseudo-kritikë, që nuk krijojnë dot debat të vërtetë me opinionet e tyre, janë armiqtë e parë për Shqipërinë, sepse ashtu si ata spiunët e rekrutuar prej Sigurimit të regjimi komunist, izolojnë mendimin e lirë duke devijuar opinionin e masës së gjerë.
Përsa i përket pozicionit të kryeministrit shqiptar, duke marrë shkasë nga i “intervistuari” im italo-shqiptar, më shumë sesa vlerësimin tim, do i uroja atij, duke ju lutur Zotit, që t’i dhuronte zgjuarsinë dhe ndjeshmërinë e nevojshme, largpamësinë dhe kurajon në udhëheqje.
E them këtë më tepër nga shqetësimi dhe frika që më kapi pasi studiova mbi jetën dhe karrierën e diktatorëve të historisë dhe zbulova një karakteristikë që i bashkonte të gjithë ata, “frika”. Frika për të mos humbur pushtetin, pushtet që i kombinuar me një dozë narcizizmi shndërrohet në omnipotencë që i largon ata nga realiteti në cilën jeton populli, frikë që shndërrohet në paranojë me efektet katastrofike që të gjithë i njohim tashmë.
Edukimi publik, nëpërmjet politikave shtetërore, me virtyte dhe njohuri të nevojshme bën të mundur ekzaltimin e pjesës pozitive të njëriut, e nevojshme kjo për të ndërtuar shtyllën e çdo bashkëjetese paqësore dhe pa diferenca të mëdha midis dy ekstremeve të shoqërisë.
Në të kundërt, varfëria në edukim prodhon mendim të varfër dhe si rrjedhojë mungesë vizioni kritik, aq i domosdoshëm për publikun tonë.
Duke u rikthyer tek bilanci i përgjegjësive të të dyja palëve, pra popullit dhe elitës politike, ekstreme në thelb me pozicione të pandryshuara në këto 90 vitet e fundit, do provoja të improvizohesha si avokati mbrojtës i secilës prej tyre për t’i justifikuar për falimentimin historik kundrejt njëra tjetrës.
Në mbrojtje të elitës së stazhionuar politike, mund të gjeja më shumë se një alibi për të justifikuar falimentimin e saj ndaj popullit, por mbi të gjitha fakti që ky i fundit është përgjumur dhe i vështirë të udhëhiqet, nuk zotëron as kultivon një kulturë të mirëfilltë demokratike dhe elektorale, nuk beson me sinqeritet tek istitucionet e shtetit dhe si përfundim, për ta thënë me fjalët e njërit prej të “intervistuarve” të mësipërm, ka humbur shpresën se ai vënd mund të bëhet.
Pra, diskutimi im mbrojtës do përfundonte me Brokardin, “çdo popull ka qeverinë që meriton”.
Në të kundërt, në rolin e avokatit mbrojtës së popullit, për të hequr nga supet e tij përgjegjësitë historike të bazuara në akuzat e mësipërme, do të përdorja alibinë e pakundërshtushme që ky popull nuk vuan nga ndonjë pathogjen injorance të trashëguar në breza dhe që e bën të pa menaxhueshëm lehtësisht në kontekstin politiko-shoqëror sepse, që në momentin që bijtë e tij kanë emigruar jashtë atdheut, ka demostruar historikisht aftësi integrimi dhe suksesi në të gjitha fushat, përfshirë atë politike.
Pra, “faji” i ngelet elitës politike të cilës i takon menaxhimi dhe shfrytëzimi i burimeve dhe energjive pozitive për të mirën e vendit. Pra, verdikti final që do i shkonte për shtat këtij “proçesi” do të ishte “çdo qeveri ka popullin që meriton”.
Por, fakti që populli dhe klasat politike kanë arritur të përcaktojnë dhe përdorin një çmim material të lirisë thelbësore në një demokraci të vërtetë, pra votës së lirë, më vjen të mendoj se të dy palët e meritojnë njëra-tjetrën.
Por, po lë mënjanë fatalizmin duke provuar ta mbyll me optimizëm gjykimin tim pa dashur të improvizoj edhe rolin e gjykatësit. Lind natyrshëm pyetja: si do i vejë halli kësaj pune, si mund të zgjidhet problemi historik i Shqipërisë?
Personalisht jam i bindur që Shqipëria do të bëhet një ditë, por afërsia e asaj dite do të kushtëzohet nga momenti kur të kuptojmë që çdokush nga ne duhet të ofrojë kontributin e vet (ashtu si ai zogu i vogël, në anektodën e pyllit që po digjej ku të gjitha kafshët po mundoheshin të shpëtonin kokën, dhe kur panë kolibrin e vogël që po merrte ujë me sqep për të shuar zjarrin filluan ta tallnin për veprimin e tij qesharak, ai u përgjigj: “unë bëj detyrën time”), pa pritur që të mirat t’i vijnë nga ndonjë fuqi e mbinatyrshme apo kontinent tjetër, ndërkohë që ne pimë kafe e fërnet klubeve të shumtë.
Kur të kuptojmë që bota nuk është e interesuar aq shumë për demokracinë e Shqipërisë sesa për stabilitetin në rajon (stabilitet nuk nënkupton patjetër demokraci), do fillojmë të kuptojmë rëndësinë e kontributit tonë vetjak.
Nëse në të kaluarën, klasa politike, nëpërmjet atyre këmishave të hekurta, ekzaltoi pjesën më të errët dhe negative të natyrës njerëzore, duke i larguar të mjerët me forcë nga rruga e Zotit, u kultivoi ndjenja ekstreme si urrejtjen dhe keqdashjen për njëri tjetrin, përçmimin ndaj së bukurës dhe talentit kundrejt nderimit ndaj mediokres, sot duhet ndërruar kapitull.
Nevojiten politika që eliminojnë luftën e klasave që sot vazhdon midis arrogancës së pushtetarit të pasur dhe të papunit të poshtëruar, stimulimin real të meritokracisë dhe jo të klientelizmit.
Duhet emancipuar shoqëria me shembuj pozitivë dhe jo duke e lënë të vetëedukohet me varfërinë morale të bazuar në standartin që i forti ekonomikisht, edhe pse kriminel dhe injorant, duhet të drejtojë politikisht masën e gjërë të përbërë edhe nga intelektualë.
Duhet stimuluar kultura e punës nëpërmjet politikave reale në ekonomisë (ligji i munguar mbi kthimin e pronave është gangrena e ekonomisë shqiptare) dhe jo duke stimuluar rrugën më të shkurtër, atë të emigrimit.
Është e vërtetë që emigrimi ka lindur me lindjen qenieve njërëzore dhe shtazore, por do të ishte fyerje për inteligjencën e shqiptarit nëse sot do të na shitej si e njëllojtë lëvizja e atyre pak gjermanëve apo francezëve drejt vëndeve ku punojnë o vendosin të jetojnë me emigrimin e imponuar të të mjerëve që largohen për motive urie, luftrash apo fatkeqësie natyrore.
Duhet kultivuar kultura e modeleve moderne të fymëzuara nga personazhe që promovojnë solidaritetin, paqen dhe luftën kundër mafjeve, por jo kulturën e miteve të mishëruara në leadera që promovojnë akoma kultin e individit dhe përdorin metoda diktatori për të arritur plotëfuqinë.
Duhet të edukohemi me virtutin e dashurisë dhe të lirisë që askush ta dhuron, e kam fjalën në radhë të parë për lirinë individuale e cila nuk fitohet duke dalë në protesta për të zëvëndësuar statujën e diktatorit antik me atë të diktatorit modern.
Jemi akoma në kohë për të arritur pajtimin e munguar dhe nuk mund të shpresohet që “memoria e cunguar” e një populli mund të shërohet nëpërmjet harresës apo shuarjes natyrale të brezit të viktimave apo të dëshmitarëve të krimit.
Përfundimisht, ndryshe nga mendimi momental i disa bashkëkombasve, do doja të kthehesha në tokën time me urimin që një ditë, edhe atje, do të rikthehet shpresa e munguar dhe dy palët ekstreme më në fund do të afroheshin për të merituar me krenari njëra-tjetrën. Si çdo person që emigron nga toka e vet, gjithëkush do dëshironte një ditë të kthehej në tokën e tij, qoftë edhe për t’u prehur në paqen e jetës së pafund.
Parma, 26 Prill 2020
/exit.al/