Gjykata e Tiranës dënon me 4 vjet e 6 muaj burgim të pandehurin Tom Ndoja, i akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për “Vjedhje me pasoja të rënda”. Nga hetimet rezultoi se shtetasi Tom Ndoja, ka vjedhur një besimtari tjetër çantën e dorës, në të cilën gjendeshin edhe 10 mijë euro. Vjedhja ka ndodhur gjatë procesit të faljes në xhami.
Në materialin e Prokurorisë së Tiranë thuhet se i pandehuri ka shfrytëzuar faktin se besimtarët ishin duke kryer ritet fetare dhe ka përfituar nga mirëbesimi ndërmjet tyre, duke vjedhur vlerën e konsiderueshme monetare.
Pas vjedhjes, i pandehuri është larguar, ndërkohë që është pikasur dhe është kapur disa ditë më pas nga një tjetër besimtar i xhamisë, i cili më pas ka njoftuar policinë për të realizuar arrestimin e tij.