Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e thirrur sot nga Presidenti Ilir Meta, ku kanë marrë pjesë Rama dhe ministrat e kabinetit, kryeparlamentari Ruçi dhe kreu i PD Lulzim Basha.
Mbledhja është zhvilluar përmes një video-konference online. Zyra e shtypit e Presidencës njofton se çështjet kryesore që u diskutuan ishin vlerësimi mbi situatën aktuale të pandemisë, masat që po ndërmerren për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale, zhvillimi i procesit arsimor dhe strategjia e planifikuar për përfundimin e vitit akademik 2019-2020, si dhe ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Kryeministri Rama dhe ministrat përgjegjës informuan Metën për masat e marra për përballimin e krizës shëndetësore dhe social-ekonomike, si dhe për menaxhimin e mëtejshëm të situatës, ndërkohë që kryeparlamentari Gramoz Ruçi shprehu angazhimin për përmbushjen e detyrimeve të Kuvendit në këtë situatë.
Pjesëmarrës në mbledhje, Kreu i PD Lulzim Basha shprehu pikëpamjet dhe sugjerimet e opozitës për ta tejkaluar këtë pandemi me pasoja sa më të lehta për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, Meta ka vlerësuar rëndësinë e rritjes së efikasitetit të masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve, i ekonomisë kombëtare, si dhe përmbyllja e vitit shkollor.
https://streamable.com/2xnz5r