Lajm i përditësuar/ Ambasadorët Donald Lu dhe Romana Vlahutin kanë vendosur që të flasin në mbledhjet e partive kryesore në vend, të PS-së, PD-së dhe LSI-së për miratimin e reformës në drejtësi.
Shumë mund ta kenë cilësuar si veprim jo fort diplomatik mesazhin e tyre të drejtpërdrejtë në institucionin e parlamentit nuk e kanë menduar se ambasadori amerikan dhe ajo e BE-së kanë vendosur të shkojnë më tej dhe të marrin pjesë në mbledhjet e grupeve parlamentare të secilës parti.
Lu dhe Vlahutin do të jenë në mbledhjen e secilit grup parlamentar, por PD-ja ka anuluar mbledhjen e grupit parlamentar të saj, e cila ishte parashikuar për tu mbajtur ditën e premte në orën 15:00. Arsyeja zyrtare duket se është agjenda e kryetarit Basha. Ende nuk dihen arsyet e këtij vendimi. Fokusi i mbledhjes ishte reforma në drejtësi.
Por pas akuzave te Rames ndaj opozites se nuk pranon të takojë ambasadoret ka reaguar ambasada e SHBA-së.
“Ambassadorët Lu dhe Vlahutin kanë rënë dakord me 3 grupet parlamentare që të takohen me secilin prej grupeve, në radhë sipas numrit të deputetëve – PS, PD, LSI. Po punojmë për t’i organizuar takimet javën e ardhshme”, thekson zëdhënësi i ambasadës së SHBA, Ryan Roberts.
Ambasadoret nuk janë mjaftuar vetëm me premtimet publike të krerëve të partive për miratimin e reformës po kanë vendosur t’ua thonë hapur deputetëve të secilës parti kërkesën e tyre që kjo reformë të kalojë shpejt.
Të hënën pritet që demokratët të marrin vendimin e tyre, mazhoranca ka deklaruar qëndrimin e saj për të votuar këtë reformë.