Sipas Partisë Demokratike, projekti i Arenës Kombëtare është një aferë korruptive. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i është drejtuar me një letër kryeministrit Rama si dhe Presidentit të FSHF Armando Duka, ku kërkon transparence në lidhje me projektin e ndërtimit të stadiumit “Qemal Stafa”. Në letrën e tij, Paloka kërkon informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar duke përfshirë;
1-Projektin e miratuar nga KKT
2-Kontratën e partneritetit publik-privat
3-Kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime ku pasqyrohet qendrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit
4-Procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese
5-Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti
Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit, dhe jo sportin e qytetarët.
PD vlerëson se sipas këtij plani të Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit.