Mediat britanike kanë shkruar sërish për Shqipërinë, si një arsye që Britania e Madhe të dalë nga Bashkimi Evropian. Gazeta “The Sun”, shkruan se hyrja e Shqipërisë në BE do ta bënte më të lehtë futjen e kriminelëve në Britaninë e Madhe. Sipas artikullit, 10% e dënuarve në burgjet britanike janë shqiptarë dhe statistika bazohet tek radhët e të dënuarve nga kontinenti evropian. Artikulli merr shkas një ngjarje e fundit në Britani ku është arrestuar një 21 vjeçar shqiptar, i cili ka mundur të hyjë në Britaninë e Madhe pavarësisht se ishte larguar nga autoritetet vendase. Ai mendohet se ka hyrë dy javë më parë me dokumente të falsifikuara të identifikimit. Bëhet fjalë për shtetasin Pashk Koliçaj, i cili është arrestuar me drogë në vlerën 1.5 milionë eurove.
Gazeta kujton deklaratat e javës së shkuar të ministres së Brendshme, Theresa May, e cila megjithëse nuk mbështet daljen e Britanisë nga BE-ja, paralajmëroi se anëtarësimi i disa vendeve të Ballkanit në BE do të sjellë vetëm probleme për Unionin, duke përmendur këtu Shqipërinë.
Udhëheqësi Brexit (daljes së Britanisë nga BE-ja) ministri i Drejtësisë, Michael Gove paralajmëron se radhët e gangsterëve shqiptarë në Britani do të shtohen pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE.