Investitorët, ndryshe nga rajoni nuk gjejnë asnjë mbështetje
Taksat e larta dhe mungesa e favoreve për të ata që duan të bëjnë biznes në vendin tonë na kanë vënë në fund të listës rajonale për tërheqjen e investimeve të huaja. Tashmë për këtë është e bindur edhe vetë qeveria. Në një matricë krahasuese e Këshillit Të Investimeve të paraqitur në një mbledhje të zhvilluar dy ditë më parë rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatimin fitimin që është 15%, në një kohë që mesatarja e rajonit është 10%. Po ashtu Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon, së bashku me Serbinë ka edhe nivelin e TVSH-së më të lartë në rajon. E njëjta gjë është edhe për nivelin e kontributeve të sigurimeve shoqërore që përsëri janë më të lartat në rajon.
Edhe për incentivat për investimet Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Në renditjen e Këshillit të investimeve janë renditur të paktën 7 lehtësira fiskale dhe infrastrukturore në zonat e lira, por kjo ofertë e Shqipërisë nuk është funksionale përderisa vendi ende nuk ka zona të lira. Vendet e rajonit përveç Kosovës i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese. Po ashtu Serbia e Maqedonia konkurrojnë dukshëm në bujqësi e turizëm nëpërmjet përjashtimeve nga tatim fitimi dhe i pagës për 10 vjet në zonat e lira si edhe me TVSH zero për energjinë e gazin e lëngshëm.