Nafta bruto e mineralet shkatojnë 13 për qind rënie
Rënia e cmimit të naftës bruto dhe mineraleve ka shkaktuar një rënie të thellë të eksporteve shqiptare. Sipas raportimit më të fundit të INSTAT në mars 2016 eksportet e mallrave shqiptare kanë kapur vlerën 19 miliardë lekë, që është afërsisht 13 për qind me pak se një vit më parë. Sipas detajimeve që sjell INSTAT grupet kryesore që kanë shkaktuar ndryshimin vjetor të eksporteve janë “mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike” që kanë rënë me 11 pikë përqindje, “materialet e ndërtimit dhe metalet” që kanë rënir 8,4 pikë përqindje, si edhe “makineritë, paisjet dhe pjesë këmbimit” që kanë rënë me 1,6 pikë përqindje. Rënia e këtyre të fundit është treguesi se ekonomia vijon të jetë në ngërc dhe se efektet do të përcillen edhe në prodhimin e mallrave. Rënia më e madhe e eksporteve është vënë re me vendet fqinje. Në Kosovë janë shitur 32 për qind më pak mallra, ndërsa në Maqedoni 20 për qind më pak. Kjo situatë ka bërë që pesha e eksporteve të mallrave shqiptare të kalojë tek mallrat që prodhohen me fason. Sipas INSTAT eksportet e “tekstileve dhe këpucëvë” janë rritur me 6,8 pikë përqindje.
E ndërkohë që eksportet kanë rënë me importet ka ndodhur e kundërta. INSTAT raporton rritje vjetore të tyre me 4.6 për qind. Për pasojë deficiti tregtar i vendit sa vjen e përkeqësohet. Në raport me një vit më parë deficit tregtar është rritur edhe me 22 për qind.