RAI i ka kushtuar një reportazh vizitës së fundit të Presidentit të Republikës Ilir Meta në Casalvecchio të Puglias, në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij “U’ jam Arbëresh”.
Gjatë vizitës së tij, Meta u prit ngrohtësisht nga përfaqësues të shumtë të komunitetit arbëresh dhe autoritetet lokale, të cilat kishin organizuar edhe një aktivitet kulturor për t’i uruar mirëseardhjen Kreut të Shtetit shqiptar.
REPORTAZHI I PLOTË
“Mirëserdhët në katundin tonë – Benvenuti a Casalvecchio di Puglia!”
Jemi në një nga komunat ku Arbëreshët kanë mbajtur gjallë kulturën dhe gjuhën e tyre tradicionale ndër shekuj. Kasalvekio i Puljas, ose Kazallveq siç e quajnë arbëreshët, është një komunë me rreth 1800 banorë. Origjina e këtij fshati daton në vitet 1400.
Sot është një ditë e veçantë për Arbëreshët, pasi sot përfaqësuesit e 9 komunave firmosën mes tyre një Memorandum bashkëpunimi, për promovimin e identitetit dhe kulturës Arbëreshe, ku i ftuar nderi është Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Këto janë 9 komunat që bashkohen për të ruajtur identitetin e tyre kulturor (tregon hartën). Janë komuna të cilat ndodhen gjeografikisht shumë larg me njëra-tjetrën, dhe kjo e vështirëson pak punën e përbashkët.
“Duhet të kujdesemi për mbrojtjen e kulturës dhe origjinës tonë, një punë që duhet të fillojë nga moshat e vogla.
Ruajtja e gjuhës është fondamentale për këtë qëllim, sigurisht fillon nga më të vegjlit, pastaj tek mosha e mesme dhe tek gjeneratat e tret, por gjuha është shumë e rëndësishme që të ruhet në mënyrë fanatike”, – thotë Kryetari i Komunës së Kazalvekios, z.Noe Andreano.
Fëmijët e vegjël Arbëresh janë ata që i uruan mirëseardhjen Presidentit Meta, duke kënduar këngët në gjuhën Arbëreshe, dhe duke valëvitur flamujt shqiptar.
Një nga studentet që mirëpriti Presidentin Meta, u shpreh se ato e mësojnë gjuhën Arbëreshe në mënyrë autodidakte në shtëpi, por është do ishte mirë që ta mësonim dhe në shkollë.
“Jemi shumë krenar për gjithçka a bërë komuniteti Arbëresh në gjithë këto vite për ë ruajtur trashëgiminë kulturore dhe gjuhësore, por dhe për konsolidimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Italisë. Kultura Arbëreshe është një trashëgimi jo vetëm për Italinë, por dhe për gjithë Europën”, – thotë Presidenti Meta.
Pas mirëpritjes në shesh për Presidentin Meta, u zhvillua konferenca për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike e sociale mes komunave Arbëreshe dhe Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një strategji kombëtare për diasporën, që i sheh emigrantët e vet, qoftë edhe ato historikë si resurse.
“Ka një rivitalizim të marrëdhënieve ku po synojnë fort institucionet shqiptare dhe atyre italiane në përgjithësi, por në veçanti të komunave arbëreshe. Unë jam një nga pasardhësit e heroit kombëtar të Shqipërisë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, thotë Loris Castriot Skanderbeg për mikrofonin e RAI 3.
Firmosja e memorandumit të bashkëpunimit ka përmbyllur mëngjesin e kësaj dite. Tani ka nisur puna.