Marrëveshja e Parisit ka një kosto prej 680 mln euro
Shqipëria nuk është një vend industrialist dhe shkarkimet e gazit në atmosferë nuk arrijnë dot as kuotën e lejuar të ndotjes. Megjithatë, Shqipëria u bë pjesë e marrëveshjes historike të 175 vendeve të botës, që firmosen në selinë e Kombeve të Bashkuara “Marrëveshjen e Parisit” për ndryshimin e klimës.
Marrëveshja është një angazhim ligjor global kundër ngrohjes globale, sipas së cilës vendet angazhohen të ulin emetimin në atmosferë të gazit me efektin serë dhe të mbajnë nën 2 gradë rritjen e ngrohjes globale.
Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, i cili firmosi në emër të Shqipërisë, vuri në dukje statusin e veçantë të vendit përsa i përket emetimit në nivel të ulët të gazit me efekt serë, duke qenë se prodhimi i energjisë elektrike në vend kryhet tërësisht me burime hidrike dhe pa ndikim në atmosferë.
Me firmosjen e marrëveshjes së Parisit për ndryshimet e klimës, Shqipëria angazhohet që deri në vitin 2030 të reduktojë me 11.5% emetimin e gazit me efekt serë. Ekspertët e Ministrisë së Mjedisit llogarisin se, kostoja për të rritur standardet me teknologji miqësore me mjedisin në ndërtim, industri dhe trasport, është rreth 690 milionë euro.
Përveç vëmendjes për të rritur gjelbërimin në vend, ekspertët vlerësojnë se, ndërhyrja më konkrete për Shqipërinë është në fushën e transportit, për rritjen e cilësisë së lëndës djegëse dhe të automjeteve që qarkullojnë në territorin shqiptar.