Interpoli ka kthyer për të vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në Shqipëri, Viktor Pelivanin, autorin e tretë të “Masakrës së Mbrostarit”, që ndodhi në vitin 1999, ku për 150 dhrahmi u vranë burrë e grua.
Pelivani, 43 vjeç, u ekstradua dje nga Vjena e Austrisë, ku ishte arrestuar pas bashkëpunimit të oficerëve të Interpolit. Me një vendim të formës së prerë dhënë nga Gjykata e Vlorës vitin e kaluar, ai është dënuar me burgim të përjetshëm, njësoj si dy bashkëpunëtorët e tij, që ndodhen aktualisht në burg.
Sipas vendimit të Gjykatës, Viktor Pelivani, Feta Kaja dhe Jurgen Baçja, janë autorë të vjedhjes me pasojë vdekjen të çiftit Barjam e Natasha Driza, ngjarje e ndodhur 20 vite më parë.
Çifti Driza u vra në gjumë pranë foshnjës së tyre vetëm 5- ditëshe, që fatmirësisht u shpëtoi plumbave. Gjithçka ndodhi për grabitje, pasi autorët kishin mësuar se kryefamiljari ishte kthyer nga Greqia dhe dyshonin se mund të kishte para. Por, në fakt, në shtëpi gjetën vetëm 150 dhrahmi.
EKSTRADIMI
Policia e Shtetit njoftoi dje zyrtarisht se nga specialistët e Interpol Tiranës u bë ekstradimi nga Vjena e Austrisë drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Viktor Pelivani, 43 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, në maj të vitit 2018, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale “Vjedhja me pasojë vdekjen”, kryer në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, më datë 07.08.1999, rreth orës 23:00,Viktor Pelivani, në bashkëpunim me shtetasit Feta Kaja dhe Jurgen Baçja, ka hyrë për të vjedhur lekë në shtëpinë e shtetasit Barjam Driza, duke vrarë këtë të fundit dhe bashkëshorten e tij, shtetasen Natasha Driza. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Vjenën u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Shqipërisë, i shtetasit Viktor Pelivani.
MASAKRA E MBROSTARIT
Mbrëmjen e 7 gushtit të vitit 1999, rreth orës 23:00, tre persona u futën me armë për të grabitur në një shtëpi në fshatin Kallm të Mbrostarit. Atë natë, 5 anëtarët e familjes Driza, më i vogli vetëm 5-ditësh, kishin rënë për të fjetur më herët se zakonisht. Për ta kishte qenë një ditë e lodhshme, duke qenë se kryefamiljari, Barjam Driza, ishte kthyer nga Greqia, ku punonte si emigrant prej vitesh dhe kishte organizuar një festë për emrin e djalit të tretë.
Çifti Driza ndodhej në gjumë kur u vra e në krevat bashkë me ta ishte edhe foshnja, djali 5-ditësh, për të cilin kishin festuar deri vonë. Fatmirësisht, ai u shpëtoi plumbave. Sot është 20 vjeç, por prindërit nuk arriti t’i njihte kurrë. Deri vonë, shenjat e plumbave të masakrës së asaj nate, kanë qëndruar në muret e shtëpisë, për të cilën janë kujdesur prindërit e kryefamiljarit Driza, vëllai i të cilit humbi jetën në një aksident disa vite më vonë. Ata rritën edhe 3 djemtë e tyre, më i madhi sot është 28 vjeç, duke i edukuar dhe duke i bindur vazhdimisht se “hakun” e asaj ngjarje, do ta çonte në vend drejtësia.
Njëri nga fëmijët e çiftit, që në atë kohë ishte 6 vjeç, e pa të gjithë skenën e krimit. Ai nuk e harron dot se pak para mesnate tre persona të armatosur masakruan prindërit e tij. Vrasja u krye për 150 dhrahmi që Driza kishte fituar me disa muaj punë në emigrim. Nga 3 autorët, i pari, Jurgen Baçja, u arrestua pak kohë pas krimit. Tashmë ai është dënuar me burgim të përjetshëm, njësoj si dy bashkëpunëtorët e tij që u arrestuan dhe u ekstraduan shumë më vonë. Në nëntor të vitit 2016, u ekstradua nga Greqia Feta Kaja dhe dje nga Austria u ekstradua Viktor Pelivani.
Pelivani ishte në listën e më të kërkuarve të Fierit
Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Shtetit ka publikuar emrat dhe fotot e 17 personave me rrezikshmëri të lartë në Fier, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve për t’i arrestuar. Akuzat që rëndojnë mbi të shumëkërkuarit janë për vrasje, vjedhje dhe rrëmbim personi, të dënuar nga 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Të gjithë “Most wanted” ndodhen në arrati dhe Policia iu apelon qytetarëve që të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 nëse kanë informacione për ta. Policia e Shtetit ftonte cilindo që ka dijeni mbi vendndodhjen e tyre të telefonojë Policinë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin. Listën e të shumëkërkuarve të Fierit e kryesojnë dy të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, Engjëll Ibrahimi dhe Flamur Mustafa. Lista vijon me Hasan Licaj, Sokol Hoxha, Ilir Taraj, Mane Driza, Fatos Hoxhaj, Mirjan Braka, Viktor Pelivani, tashmë i arrestuar, Flamur Ndino, Alban Tushe, Genci Tesho, Artan Yzeiri, Dritan Idrizaj, Hair Seitaj e Afrim Barjamaj të akuzuar për vrasje, vjedhje me pasojë vdekjen dhe rrëmbim personi. Mes shumë të kërkuarve është edhe një grua e dënuar me 25 vite burg për rrëmbim personi e identifikuar si Floresha Ndino.
Bashkëpunëtori u ekstradua para tri vitesh nga Greqia
Për vrasjen e çiftit Driza, Gjykata e Fierit dhe më pas Gjykata e Apelit të Vlorës kanë dënuar me burgim të përjetshëm 3 persona, Viktor Pelivanin, Feta Kajën dhe Jurgen Baçjan. Ky i fundit ishte i pari që u arrestua për ngjarjen e 20 viteve më parë dhe aktualisht është duke vuajtur dënimin. Pelivani u ekstradua dje, ndërsa Kaja është ekstraduar para tri vitesh nga Greqia.
Në vitin 2012, Policia greke njoftoi se kishte kryer arrestimin e një personi të shpallur në kërkim në Shqipëri dhe të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje. Feta Faslli Kaja, 43 vjeç, u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy bashkëshortëve në Mbrostar të Fierit, në vitin 1999. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin nr. 44, të datës 27.02.2002, e ka dënuar shtetasin Feta Kaja me burgim të përjetshëm për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim. Shtetasi Feta Kaja, Viktor Pelivani e Jurgen Baçja, në gusht të vitit 1999 hynë në banesën e Barjam Driza dhe Natasha Drizës për të kryer vjedhje.
Më 11 nëntor të vitit 2016, Policia e Shtetit njoftoi se Interpoli kishte kryer ekstradimin në Shqipëri të të dënuarit me burgim të përjetshëm, Feta Kaja. “Interpol Tirana ekstradon nga Greqia një shtetas të dënuar me burgim të përjetshëm. Nga Specialistët e Interpol Tirana është kryer ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar: Feta Kaja, 40 vjeç, lindur në Fier. Ndaj këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Fier, me vendim nr. 44, datë 27.02.2002, e ka dënuar me burgim të përjetshëm, për veprën penale të ‘Vjedhjes me pasojë vdekje’ parashikuar nga neni 141 i K. Penal.
Ky shtetas, më datë 07.08.1999, rreth orës 23:00, në fshatin Kallm, Fier, në bashkëpunim me dy shtetasit e tjerë V. P dhe J. B kanë vrarë me armë zjarri shtetasit B. D dhe N. D, dhe më pas kanë vjedhur në banesën e tyre një shumë të konsiderueshme parash. B. D dhe N. D sapo ishin kthyer nga emigrimi në Greqi. I ekstraduari në aeroportin ‘Nënë Tereza’, Tiranë, iu është dorëzuar autoriteteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve”, njoftonte zyrtarisht Policia e Shtetit në vitin 2016. /PANORAMA
Feta Kaja dhe Viktor Pelivani: