Një ditë pasi Valdrin Pjetri njoftoi dorëheqjen nga mandati i kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi mbi verifikimet e nisura mbi pastërtinë e figurës së tij.
Kujtojmë se Pjetri u akuzua të martën nga Partia Demokratike në opozitë se në vitin 2003 ishte dënuar në Itali për trafik droge dhe se ishte dëbuar nga vendi fqinj.
Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se “më datë 05.08.2019, ka regjistruar kërkesën për verifikim të detajuar të subjektit Valdrin Pjetri, dhe se ka filluar procesin e verifikimit të plotë e të gjithanshëm, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë” dhe se i ka kërkuar shtetasit Valdrin Pjetri “të depozitojë gjurmët e tij daktiloskopike pranë Institutit të Policisë Shkencore”. Në daten 6 gusht ka dërguar pranë Drejtorisë së Bashkëpunimit dhe Koordinimit Ndërkombëtar pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit, si dhe pranë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për verifikim të mëtejshëm nga autoritetet e drejtësisë italiane, duke u kërkuar këtyre të fundit vënia në dispozicion e çdo lloji vendimi penal të dhënë nga gjykata, vendim për masa sigurimi personale apo vendime dëbimi, në emër të shtetasit Valdrin Pjetri”.