Drejtuesja e departamentit të antikorrupsionit në PD, Lealba Pelniku denoncoi tenderin prej 30 milionë eurosh të Ministrisë së Brendshme për uniformat e policisë.
Në një deklaratë për mediat, Pelniku bën me dije se nëpërmjet saj favorizohet klienti i qeverisë.
“Kur bëhet fjalë për abuzimin me miliona euro, Sandër Lleshaj nuk ndryshon nga paraardhësit e tij Saimir Tahiri apo Fatmir Xhafaj.
Gjuetia e preferuar e Ministrave të Brendshëm të Edi Ramës është tenderi 30 milionë euro me uniformat e policisë.
Kësaj rradhe, mënyra e gjetur për të vjedhur është paracaktimi i fituesit përmes shkeljes së procedurave ligjore për rregulla të barabarta loje dhe konkurencë të drejtë në treg.
Për të përjashtuar garën në tenderin e hapur pak ditë më parë, Ministria e Brendshme ka përgjysmuar afatin minimal të parashikuar në ligj për t’u bërë pjesë e tenderit dhe për të plotësuar kushtet e tij.
Ligji i Prokurimit Publik parashikon një afat minimal 52 ditor, por Sandër Lleshaj, në shkelje të ligjit, ka vendosur shkurtimin e afateve për ata që duan të konkurojnë në 24 ditë”, tha Pelniku