Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sir Stuart Peach.
Meta vlerësoi mbështetjen e dhënë nga Komiteti Ushtarak i NATO-s për projektin e Bazës Ajrore të Kuçovës, duke garantuar se bashkëpunimi me Aleancën ka një rëndësi strategjike për sigurinë kombëtare dhe rajonale.
Gjithashtu, Presidenti Meta, nënvizoi se roli dhe prezenca e NATO-s në rajon është faktor kyç për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik. Do punoj pa u lodhur për një Shqipëri të qëndrueshme, demokratike dhe anëtare të denjë të NATO-s, që siç tha Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg gjatë vizitës së Tij në Tiranë, ka në zemër demokracinë”, – u shpreh Kreu i Shtetit.