Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me konsensus projektligjin për faljen e debisë në skemën e sigurimeve për 5 mijë e 425 ish-ushtarakë. Projektligji u prezantua nga Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi i cili kritikoi qeverinë e mëparshme për krijimin e këtij borxhi. Ndërkohë opozita edhe pse e miratoi në parim kishte disa paqartësi për të cilat kërkoi sqarime nga Ministri.
Komisioni i Ekonomisë dhe Financave ka miratuar projektligjin i cili parashikon faljen e debisë së krijuar në skemën e sigurimeve shoqërore nga Ish-ushtarakët. Ministri i Mirqënies Sociale Blendi Klosi u shpreh se nga kjo nismë përfitojnë 5 mijë e 425 ish-ushtrakë, ndërsa efekti në buxhet llogaritet rreth 1 miliard lekë. “U krijuan këto debi të cilat kanë vijuar të shtyjnë detyrimet duke u ndalur 20% të pensioneve mujore të gjithë këtij grupimi ish-ushtarakësh. Duke njohur detyrimet si shtet pavarësisht se nga koha që janë krijuar këto veprime të parregullta dhe këto borxhe që janë krijuar në shtresa kaq të mëdha, ne si qeverisje e përgjegjshme, me propozim të katër ministrive të linjës sjellim sot para parlamentit kërkesën për faljen e debisë për 5 mijë e 425 ish-ushtarakë debitorë me një detyrim të mbetur në vlerën 984.5 milionë lekë”, tha Klosi. Opozita edhe pse e miratoi këtë projektligj në parim ngriti një sërë pikpyetjesh.
Pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji asnjë ish-ushtaraku nuk do i mbahen më para nga pensioni i çdo muaji. Me një vendim të qeverisë së shkuar ata ishin të detyruar të kthenin mbrapsht një pjesë të pensionit që kishin marrë më herët, për shkak të një gabimi të administratës.
Oranews