Takimet e Pranverës të FMN e Bankës Botërore: Fokusi te rritja ekonomike
Guvernatori I Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka marrë pjesë në Takimet e Pranverës së FMN e Bankës Botërore që mbahen në Uashington. Në takimet që ka patur guvernatori Sejko ka folur për zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare, perspektivën e rritjes ekonomike, dhe në zhvillimet e sektorit bankar.
Në një njoftim të shpërndarë nga Banka e Shqipërisë thuhet se: “Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Në lidhje me zhvillimet e fundit në ecurinë e çmimeve të konsumit, z. Sejko theksoi edhe njëherë ndikimin e fortë që ka ushtruar koniunktura ndërkombëtare e çmimeve. Ai shprehu opinionin e Bankës së Shqipërisë se ecuria e inflacionit në vlerat aktuale është e përkohshme dhe shpejt ajo do të kthehet në nivelin e synuar”. Guvernatori Sejko ka folur edhe për kreditë me probleme dhe planin e veprimit të ndërmarrë për zgjidhjen e situatës.
Takimet e pranverës mbledhin së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare si dhe drejtuesit më të lartë të institucioneve ndërkombëtare financiare. Ashtu siç pritej, çështja kryesore që mbizotëroi takimet ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. FMN ka kërkuar zbatimin e politikave fiskale të orientuara drejt rritjes ekonomike.