Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi ka reaguar në lidhje me procedimin penal ndaj kryetarit të Bashkisë së Lezhës dhe Mallakastrës për nxitje të dhunës gjatë zgjedhjeve.
Sipas Bardhit, tentativës së dështuar për të kryer votime moniste dhe të paligjshme, Edi Rama po i shton edhe tentativën për të rikthyer në Shqipëri dënimin e kundërshtarëve politikë për agjitacion e propagandë.
“Procedimi penal i Kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe Kryetarit të Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj, pse ato mendojnë ndryshe nga Edi Rama dhe kanë deklaruar se do të zbatojnë Dekretin e Presidentit, është një goditje e rëndë ndaj demokracisë dhe një akt i fortë provokimi ndaj opozitës.”- shprehet Bardhi.
Ai shton ndër të tjera se Partia Demokratike se nuk bie pre e këtyre provokimeve, pasi asgjë nuk i ndal.
“Partia Demokratike ka treguar deri më tani vetëpërmbajtje. Partia Demokratike ka treguar deri më tani përgjegjshmëri, për të ruajtur rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik të vendit. Partia Demokratike nuk ka rënë pre e provokimeve kriminale të Edi Ramës dhe banditëve të tij me unifromë. Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë.
Kryetarët e Bashkive që drejtohen nga opozita, janë në ushtrim të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit. Asnjë presion nuk i tremb. Asnjë procedim nuk i ndal.
Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri është vetëm Edi Rama dhe banda e tij.”- shton Bardhi.