“Leva për ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga kriza për ne është bujqësia”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u tha fermerëve të Xarrës dhe Konispolit se 150 milionë euro nga buxheti do të shkojnë direct për bujqësinë. Nga kjo shumë 100 milionë euro do të jenë subvencione të drejtpërdrejta për fermerët. “Leva për ta nxjerrë ekonominë shqiptare nga kriza për ne është bujqësia. Kjo është arsyeja pse kemi vendosur dhe pse nesër në qeverisje 150 milionë euro në vit do t’i shpenzojmë për bujqësinë, në dy kolona. Kolona e parë: infrastrukturë bujqësore. Kolona e dytë: subvencione të drejtpërdrejta për fermerin. 50 milionë euro në vit do të dedikohen për të përfunduar infrastrukturën ndihmëse bujqësore dhe 100 milionë euro të tjera do të rezervohen vetëm për subvencionim të drejtpërdrejtë fermerit. Siç jepet pensioni, siç jepet ndihma ekonomike, kështu do të jepet edhe subvencioni për fermerin”, deklaroi Basha.
Ndërkohë, banorët e Ksamilit theksuan në takimin me Bashën se janë të detyruar të marrin para’ borxh edhe për t’u ushqyer. Kreu i PD-së u shpreh se “hapi i parë do të jetë ulja e taksave”.
“Ulja e taksave është 1 miliard euro në ekonomi, mesatarisht 2 milionë lekë të vjetra për çdo familje, çdo vit. Me paratë e tjera të taksave do të hapim punë publike, por punë publike tamam dhe jo gënjeshtra, jo mashtrime. Ujësjellës, kanalizime, rrugë, shkolla, spitale, vaditje, subvencione për fermerët, subvencione për peshkimin, subvencione për industri që hapin vende pune për të rinjtë”, tha Basha.