Bashkëbisedim me profesorin e filozofinë së shkencës J. P. Moreland, PhD.
Intervistoi: Kaon Serjani
Dr. J. P. Moreland është profesori i dalluar i filozofisë së shkencës në Biola University në La Mirada, Kaliforni. Ai ka katër diploma: master shkencor në kimi nga Universiteti i Misurit, master teologjie nga Seminari Teologjik i Dallasit, master në filozofi nga Universiteti i Kalifornisë në Riverside, dhe doktoraturë në filozofi nga Universiteti i Kalifornisë Jugore. Moreland është autor, redaktor dhe kontribuues i nëntëdhjetë e pesë librave, duke përfshirë: “A ekziston Perëndia?”, “Vlerat universale”, “Ndërgjegjja dhe Ekzistenca e Perëndisë”, dhe “Debat me Teizmin e Krishterë”. Gjithashtu, ai ka botuar rreth 90 artikuj në revista shkencore të tilla si “Filozofi dhe Kërkime Fenomenologjike”, “Tremujorja Filozofike Amerikane”, “Metafilozofia”, “Philosophia Christi”, “Studime Fetare”, dhe “Besimi dhe Filozofia”. Në 2016 Dr. Moreland u përzgjodh nga “The Best Schools” si një prej pesëdhjetë filozofëve më ndikues të kohës sonë.
Serjani: Dr. Moreland, dëshiroj t’ju falënderoj që gjetët kohë të diskutojmë për publikun shqiptar disa pyetje në lidhje me marrëdhënien mes besimit dhe shkencës.
P. Moreland: Jam i gëzuar që jam me ju sot.
Serjani: Përveç studimeve filozofike, ju keni diploma dhe keni bërë kërkime në dy disiplina të tjera: shkencë dhe teologji. Pikërisht nga këtu dua ta nis bisedën tonë. Në disa qarqe sot, sidomos mes akademikëve, duket se ekziston një pikëpamje se “shkenca e ka “varrosur” Perëndinë”. Bazuar në gjetjet tuaja në të dyja disiplinat, a mendoni se ky vlerësim është i saktë?
Moreland: Absolutisht jo. Ata që bëjnë një vlerësim të tillë nuk njohin faktet. Rreth 95% e shkencës nuk ka të bëjë aspak me religjonin. Dikujt që beson nuk i intereson nëse një molekulë metani ka katër apo pesëdhjetë atome hidrogjeni. Kjo nuk ka lidhje me ndonjë doktrinë besimi. Nëse dikush zbulon se diçka ndihmon pacientët e atakut në zemër, ndërsa diçka tjetër jo, kjo nuk ka aspak rëndësi për besimin. Pra, 95% e shkencës thjesht s’ka lidhje me religjionin. Për 5% të mbetur, do të thosha se 3% e saj ka qenë në favor të ekzistencës së Perëndisë: p.sh. zbulimi se universi ka pasur një pikënisje kërkon një shkak jashtë universit; zbulimi se universi është i mirëakorduar dhe gjëra të tilla, gjithashtu mbështesin teizmin. Dy përqindëshi i mbetur në fakt nuk është problem kundër ekzistencës së Perëndisë apo doktrinave qendrore të krishterimit. Thjesht ngre vështirësi për Zanafillën 1-11. Kjo nuk do të thotë se sfidon besueshmërinë dhe pagabueshmërinë e plotë të Shkrimit të Shenjtë, megjithatë mund t’i them dikujt: “Shiko, për hir të argumentit, po pranoj të themi se Zanafilla 1-11 është alegori. Por ç’lidhje ka kjo me a u ngrit apo jo Jezus Krishti prej së vdekurish, a janë apo jo historikisht të besueshme shkrimet e Dhjatës së Re, apo a ekziston a jo Perëndia?” Si përmbledhje, shumica e shkencës s’ka lidhje me fenë, rreth 3% ndihmonë, dhe 2% thjesht ngre probleme me kapitujt e parë të Zanafillës, por jo me hyjninë e Krishtit, shpëtimin a diçka të tillë.
Serjani: Kam pasur shansin të lexoj librin tuaj “Shkencizmi dhe Shekullarizmi”. Aty, ju bëni dallimin mes shkencës dhe shkencizmit. Ju lutem, a mund ta shpjegoni ndryshimin mes tyre, dhe pse është i rëndësishëm ky dallim?
Moreland: Pyetje shumë, shumë e mirë! Shkenca u referohet disiplinave të tilla si fizika, kimia, psikologjia, dhe llojit të metodave e praktikave që ato zbatojnë në ato fusha. Shkencizmi është një ide shumë, shumë e rrezikshme që në fakt qëndron në themel të shkatërrimit të kulturës perëndimore. Kjo është ideja se e vetmja mënyrë, ose mënyra më superiore, se si mund ta njohim realitetin është përmes shkencave konkrete. Me fjalë të tjera, shkencizmi pretendon se mund ta dish nëse diçka është e vërtetë apo jo, vetëm nëse mund ta testosh në kimi, fizikë, neuroshkencë, etj. Nëse nuk është e mundur të testohet në një prej këtyre fushave, atëherë nuk është gjë tjetër, veçse opinion, besim i verbër dhe shprehje emocionesh. Pra, kjo filozofi thotë se deklaratat etike dhe fetare mund të mos merren për bazë, apo të mos merrem seriozisht, sepse askush, dhe e theksoj askush, nuk mund ta dijë me siguri, nëse ato deklarata janë të vërteta apo jo, sepse e vetmja mënyrë si mund ta dimë a është apo jo e vërtetë diçka është nëse mund ta testojmë në laboratorin e fizikës apo kimisë. Kjo do të thotë se nuk ka absolutisht asnjë njohje të realitetit jashtë shkencave konkrete. Kjo bie në konflikt me krishtërimin që na jep dije se ka Perëndi, se Krishti u ngrit prej së vdekurish, se ka vlera morale absolute, jetë pas vdekjes, e kështu më radhë. Pra, ky është ndryshimi bazë.
Serjani: Në një prej kapitujve të librit ju thoni se “shkencizmi vetërefuzohet”. Si e hedh posht vetveten shkencizmi?
Moreland: Më lejoni t’ju tregoj një histori. Isha një herë në një darkë ku isha ftuar te jepja një fjalim. Më paralajmëruan se atje do të ishte i pranishëm edhe një profesor nga Universiteti i John Hawkins, dhe se ai e urrente besimin e krishter. Epo, para se te niste takimi, unë shkova të tryeza e pijeve dhe ky zotëri u afrua dhe më tha: “Më falni, mora vesh se jeni filozof dhe teolog.” “Përpiqem”- i thash. Ai tha: “Edhe unë kam qenë i interesuar për këto kur isha adoleshent. Por, kur u maturova në mendime, e kuptova se, nëse diçka nuk mund ta testosh e ta provosh në laborator e të cilësosh të dhënat që gjen, nuk është gjë tjetër veçse opinion pa baza dhe pa vlerë.” E lashë të fliste edhe për ca minuta, gjatë të cilave ai bëri njëzet a tridhjetë vlerësime. Pastaj e ndalova dhe i thashë: “Zotëri, kam një problem dhe ndoshta ju mund të më ndihmoni. Ju pretendoni se, nëse diçka nuk mund të provohet në laborator të kimisë apo fizikës, nuk është gjë tjetër veçse opinion pa bazë e pa vlerë.” “Po”, tha ai, “ashtu mendoj.” “Po ju bëtë 20 a 30 vlerësime, dhe unë nuk arrij të mendoj se cili prej tyre mund të testohet e të provohet në fizikë dhe kimi. Nëse e kam gabim, ju lutem më tregoni cili prej vlerësimeve tuaja mund të testohet siç thamë. A e shihni dilemën time? Nëse kam të drejtë, atëherë, sipas standardeve tuaja, gjithçka që thatë këto minutat e fundit nuk është gjë tjetër veçse opinion pa bazë e pa vlerë.” Ai nuk dinte ç’të thoshte. Diçka vetërefuzohet nëse e bën veten të rreme, si p.sh deklarata “Nuk ka në shqip fjali më të gjatë se me tri fjalë.” Kjo në vetvete është një fjali me më shumë se tri fjalë. Në këtë kontekst, deklarata “E vetmja gjë që mund të jetë e vërtetë dhe racionale është ajo që mund të provohet në shkenca konkrete” vetë nuk mund të provohet në shkenca konkrete, sepse është deklaratë filozofike në një fushë që quhet epistemologji. Pra, kjo deklaratë refuzon vetveten dhe nuk ka mundësi të jetë e vërtetë.
Serjani: Ju thoni se ka fusha të dijes që shtrihen plotësisht jashtë kompetencës së shkencës. Me fjalë të tjera, ka gjëra që ekzistojnë jashtë nocionit të kohës dhe hapësirës e, për pasojë, shkenca nuk mund të na ndihmojë t’i njohim. A mund të na jepni ndonjë shembull tjetër të kësaj lloj dije?
Moreland: Absolutisht. Logjika dhe matematika nuk është e mundur të njihen nga shkenca, sepse shkencës do t’i duhej në fakt të presupozonte të vërtetën e logjikës dhe matematikës. Shkenca operon në fushën që quhet “a posteriori,” gjë që do të thotë thjesht se ajo është e testueshme në mënyrë empirike përmes shqisave. Por, matematikën dhe logjikën nuk mund t’i njohësh në atë mënyrë. Ato janë ide të fushës “a priori.” Dmth. ato njihen përmes intelektit, dhe pa nevojën e shqisave. Një tjetër shembull do të ishin vlerat morale objektive. Shkenca supozon se ka vlera morale absolute. Për shembull, ajo supozon se ne duhet t’i raportojmë rezultatet e testeve tona me ndershmëri dhe drejtësi. Por, vlerësimet morale nuk mund t’i njohim përmes metodës shkencore. A kam pak kohë sa t’ju tregoj një histori për këtë?
Serjani: Sigurisht.
Moreland: Gjendesha në spital pas një operacioni dhe një infermiere erdhi e më pyeti se çfarë pune bëja. Unë i thashë se dikur kisha qenë kimist fizik, por tashmë jam teolog dhe filozof. Ajo më pa me çudi dhe tha: “Epo, sa e çuditshme…” Dhe unë i thashë: “E di çfarë po mendon. Ti po mendon se unë dikur kam qenë në fushën e kimisë, aty ku vërtet mund ta njohësh të vërtetën, por tani jam në fusha ku bëhet fjalë vetëm për shprehje opinionesh e ndjenjash dhe ku askush nuk mund ta dijë të vërtetën.” Ajo tha: “Si e kuptove?” “Epo, kam takuar njerëz të tillë edhe më parë”, i thashë. Pastaj vazhdova, “A e di se ka deklarata etike që unë i di me më shumë siguri sesa di, për shembull, se ekzistojnë elektronet?” Ajo tha: “Po tallesh me mua?” “Jo”, i thashë, “mendo, për shembull, deklaratën ‘Është e gabuar të torturosh bebet për argëtim.’ Unë e di se kjo është e vërtetë dhe nuk mund të imagjinoj se do të zbulohet pas 50 vjetësh ndonjë provë e re që ta bëjë këtë deklaratë një mendim irracional. Kurse, nga ana tjetër, historia e elektronit ka kaluar nga elektroni valë i Germer-it, te elektroni i J. J. Thompson-it, te elektroni i Eterit, te elektroni i Borit, te elektroni i mundshëm. Pra, tani ne nuk besojmë më në elektronin e Borit apo elektronin e Thompson-it. A mund ta imagjinosh se pas 50 vjetësh mund të zbulojmë gjëra që do të na bëjnë të mos besojmë në ekzistencën e elektronit siç e kuptojmë sot?” Ajo tha: “Besoj se kjo shumë e mundur.” Unë vazhdova: “Pra, nëse më pyet a besoj apo jo në elektronet, do të supozoj se e ke fjalën për si e kuptojmë tani për tani. Dhe përgjigja ime do të jetë: ‘Po, por duhet të pranoj se mbetet në tentativë, sepse mund të ndryshojë në 50 vitet e ardhshme.’ Por, sa i përket deklaratës etike se ‘torturimi i bebeve për argëtim është i gabuar,’ është e pakonceptueshme që të mund të ketë prova në 50 vitet e ardhshme që ta bëjnë atë irracionale. Mbase mund të ndodh që në 50 vjet njerëzit nuk do ta besojnë më deklaratën, por kjo nuk do të thotë se kanë zbuluar ndonjë provë kundër saj.” Pra, Kaon, ka dituri morale, dituri të logjikës e matematikës, dhe dituri të ndërgjegjes personale përmes analizës vetjake. Mund të vijoj edhe më tej, por ka shumë gjëra që i dimë e që nuk mund të provohen nga shkenca konkrete.
Serjani: Dr. Moreland, a mendoni se shkenca dhe besimi janë të përputhshme me njëra-tjetrën?
Moreland: Nuk më pëlqen ta parashtroj në këtë formë. Përgjigja është po, por nuk më pëlqen fjala “besim”, sepse sot kuptimi që i është dhënë asaj fjale duket se është “pranim i verbër i diçkaje pa pasur ndonjë bazë.” Ja si do ta shtroja unë pyetjen: A janë deklaratat shkencore për të vërtetën të përputhshme me deklaratat teologjike për të vërtetën? Nëse e shtrojmë kështu, atëherë përgjigja ime është “absolutisht po,” sepse, siç e kam thënë edhe më parë, ka një seri deklaratash të bëra nga shkenca e që po japin prova për ekzistencën e Perëndisë. Le të marrim, për shembull, zbulimin se qeniet e gjalla përbëhen nga informacioni. Ato nuk kanë gjëra materiale si përbërës kryesorë. Çfarë vërtet e bën bretkosën bretkosë është informacioni që bretkosa përmban. Problemi është se, dhe kjo pranohet gjerësisht, informacioni nuk është fizik, por jomaterial. Pra, pyetja ime është, nëse jeta fillon nga Shpërthimi i Madh (Big Bang) dhe historia e botës është thjesht historia e bashkëveprimit të pjesëzave kimike e fizike me njera tjetrën, si mundet që diçka jomateriale të vijë në ekzistencë nga materia e thjeshtë? Kjo nuk mund të ndodhë. Prandaj, shpjegimi më i mirë për origjinën e informacionit është një mendje hyjnore, sepse informacioni rrjedh nga nje mendje. Ne të gjithë e dimë këtë. Pra, ky është një shembull se si një deklaratë teologjike, se “Perëndia ekziston dhe është racional,” është konfirmuar nga një deklaratë shkencore, se “qeniet e gjalla përbëhen nga informacion jomaterial.” Pra, absolutisht që teologjia dhe shkenca janë të përputhshme.
Serjani: Një prej fushave të shkencës ku ju keni shpenzuar kohë duke bërë kërkime është neuroshkenca. Siç e dini, shumë neuroshkencëtarë kanë deklaruar vazhdimisht se qeniet njerëzore nuk kanë shpirt, por vetem tru, i cili prodhon vetëdijen e tyre. Kjo duket e papërputhshme me mësimin e krishterë. Çfarë argumentash keni ju që njeriu është më shumë se thejsht truri i tij, pa cenuar gjetjet shkencore?
Moreland: Kjo është sërish një pyetje e mirë. Para dy vitesh, isha i ftuar të jepja një ligjëratë në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Betesda të Merilendit. Kjo është qendra kryesore kërkimore shkencore e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, në të cilë janë anëtarë mijëra shkencëtarë. Unë fola para një numri shumë të madh biologësh e neuroshkencëtarësh kërkimorë, dhe deklarova se, kur vjen puna te të zbuluarit se si gjendjet e ndërgjegjes, të tilla si mendimet, kujtimet, besimet e të tjera varen nga truri, apo se si shpirti ndërvepron me e varet nga truri dhe se si truri varet nga shpirti, neuroshkenca është e mrekullueshme. Por, kur vjen puna te pyetjet në lidhje me çfarë është ndërgjegjja dhe çfarë e zotëron ndërgjegjen, neuroshkenca nuk ka absolutisht asgjë për të thënë për këtë temë. E dini çfarë ndodhi? Në këtë pikë nuk më kundërshtoi askush. Asnjë prej neuroshkencëtarëve në atë sallë nuk kishte asgjë për të thënë kundër deklaratës sime, dhe arsyeja për këtë është kjo: si fillim, duhet ta bëjë me dije lexuesin tuaj se çfarë do të thotë që dy teori të jenë të barasvlershme nga ana empirike. Kjo do të thotë thjesht që dy teoritë të nënkuptojnë saktësisht të njëjtat të dhëna vëzhgimore. Nëse është kështu, atëherë ju mund të kërkoni ndihmën e vëzhgimeve empirike për të vendosur cila teori është e vërtetë, sepse të dyja teoritë janë të përputhshme me të njëjtat vëzhgime. Tani, ka në tru disa grupe neuronesh, qeliza të trurit, që quhen neurone pasqyrë. Ne kemi zbuluar se, nëse këto neurone dëmtohen, personi nuk mund të ndjejë empati. Ekzistojnë tri teori për shpjegimin e këtij fakti. Një prej tyre quhet fizikalizëm (ang. physicalism) dhe thotë se të ndjerët empati është e njëjta gjë si ndezja e neuroneve pasqyrë. Pra, kur një neuron pasqyrë nuk arrin të ndizet, nuk ka empati, sepse të dy dukuritë janë e njëjta gjë. Pikëpamja e dytë quhet Dualizmi i Vetisë. [Ky koncept thotë se edhe pse bota përbëhet nga vetëm një lloj substance—ajo fizike—ekzistojnë dy lloje vetish të substuancës: vetia fizike dhe vetia mendore. Shën. i përk.] Nga njëra anë i referohet të ndjerët empati, e cila është gjendje jomateriale e ndërgjegjes [vetia mendore] por, që të ndihet empati, duhet që truri të funksionojë siç duhet [vetia fizike]. Teoria e tretë thotë “jo, jo, jo, të ndjerët empati është gjendje jomateriale e ndërgjegjes (dhe për këtë kanë të drejtë), por që zotërohet nga shpirti. Ndezja e neuroneve pasqyrë është gjendje e trurit që zotërohet prej tij por, sa kohë shpirti është në trup, ka disa gjëra që nuk mund të ndodhin nëse truri nuk punon. Pra, nëse neuronet pasqyrë nuk ndizen, shpirti është i paaftë të prodhojë ndjenjën e empatisë që përmban.” Tani dëgjoni, të trija këto teori janë të përputhshme me saktësisht të njëjtat të dhëna empirike neuroshkencore. Pra, neuroshkenca nuk mund të na thotë cila prej tri teorive është e vërtetë. Përgjigja ndaj pyetjes “Cila është e vërtetë?” kërkon filozofinë dhe teologjinë dhe, në librin tim, unë paraqes argumentet më të mira se si ndërgjegjja është jomateriale dhe shpirti është ai që zotëron ndërgjegjen, njësoj si kur jam në makinë dhe po udhëtoj, jam në varësi të a funksionon apo jo makina. Nëse ajo prishet, atëherë unë nuk mund të shkoj kund, por kjo nuk do të thotë se unë jam makina. Në të njëjtën mënyrë, sa kohë jam në trup dhe trupi im prishet, nuk mund të bëj disa gjëra me shpirtin tim, si për shembull të ndjej empati. Por kjo thjesht vërteton marrëdhënien e varësisë. Nuk do të thotë se ndërgjegjja është e njëjta gjë si gjendja e trurit apo se shpirti nuk ekziston. Neuroshkenca hesht në lidhje me natyrën e ndërgjegjes dhe natyrën e gjësë që e zotëron ndërgjegjen.
Serjani: Jam në dijeni se ju keni shfaqur interes edhe në ato që quhen “përvoja pranë vdekjes” apo ndoshta, siç ju kam dëgjuar t’u referoheni një herë, “përvoja pas vdekjes.” Kam dy pyetje këtu: E para, a mendoni se janë autentike? Dhe së dyti, nëse po, si na informojnë këto përvoja për shpirtin dhe botën frymore?
Moreland: Nuk ka diskim që përvojat pranë vdekjes janë reale. Në të gjithë botën kanë ndodhur 200-300 milion të tilla. Në Shtetet e Bashkuara 12-14 milion njerëz kanë pasur një përvojë pas vdekjes në tridhjetë vitet e fundit. Këto janë studiuar me shumë kujdes nga hulumtues shkencor me doktoraturë në Universitetin e Konektikatit dhe shkolla të tjera madhore, të cilët kanë zbuluar se, në shumë prej këtyre përvojave, njerëzit kanë mësuar gjëra që nuk do të mund t’i kishin ditur nëse do të bëhej fjalë thjesht për mungesë oksigjeni në tru a diçka tjetër. Për shembull, disa njerëz janë në gjendje të raportojnë çfarë po ndodhte dy dhoma larg të tyres dhe doktorët shkuan dhe vërtetuan çfarë kishte ndodhur, dhe këto gjenden në raportet mjekësore. Një kardiolog holandez, Pim van Lommel, ka thënë se, në kërkimet e tij, njerëzit që kishin vdekur nga ataku i zemrës dhe që u sollën sërish në jetë 20-30 minuta më pas, kishin qenë në gjendje të përshkruanin teknikat e reanimimit me aq saktësi sa mund të përdoreshin për të trajnuar doktorët se si të reanimojnë njerëzit që pësojnë atak në zemër. Por, kur studioi njerëz që kishin pësuar atak në zemër por pa raportuar një ‘përvojë pranë vdekjes’ dhe u kishte kërkuar të shpjegonin procedurën e ndjekur për t’i reanimuar, të gjithë e përshkruan gabim. Ata përshkruanin gjëra që kishin parë në televizor e gjëra të tilla. Pra, prova është se njerëzit kishin arritur të mësonin gjëra që ishin regjistruar në raportet mjekësore dhe verifikuar nga dëshmimtarë okular, të cilat nuk do t’i kishin ditur po të mos kishin pasur një përvojë pranë vdekjes. Tani, meqë këto gjëra janë reale, ky është problem i madh për ateistët natyralistë. Kjo provon se unë nuk jam thjesht trupi im. Është e vërtetë që unë varem nga trupi im për të parë e dëgjuar sa kohë jam në trup. Dhe, nëse sytë nuk më funksionojnë, nuk mund të shoh më. Por, kur jam jashtë trupit, mund të shoh edhe pa sy. Çfarë kjo tregon është se jeta pas vdekjes është e vërtetë dhe se unë nuk jam trupi im, dhe ky është problem real [për ateistin]. Meqë ra fjala, një libër nga John Burke me titull Përfytyro Parajsëntregon se 95% e këtyre përvojave pranë vdekjes janë të përputhshme me Biblën. Rreth 5% janë shumë të tepruara e ndoshta të pabesueshme, por këto janë kufizime të harmonizueshme.
Serjani: Disa të krishterë janë gjendur të pozicionuar mes dëshirës së tyre për ta vlerësuar shkencën dhe përkushtimit të tyre për të besuar në Perëndinë. Duke bërë kështu, ata kanë mbërritur në përfundimin se, për ta, ngjan e arsyeshme të komprometojnë e të përziejnë, për shembull, teorinë e evolucionit (të cilën e quajnë shkencore) me besimin e tyre të krishterë. Për pasojë, ata tani besojnë atë që quhet “evolucion teist”. A ju duket e përputhshme me krishterimin kjo pikëpamje?
Moreland: Është e përputhshme me krishterimin nëse po thoni se është e përputhshme me deklaratën se Jezusi ishte Biri i Perëndisë e se u ngrit prej së vdekurish. Pra, me këtë është e përputhshme. Por nuk është e përputhshme me personin që beson se Bibla është fjala e Perëndisë dhe se, nëse interpretohet saktë, ajo na mëson të vërtetën. Kjo sepse nuk mund të harmonizohet Zanafilla 1-3 me teorinë e evolucionit. Fatmirësisht, ekziston një alternativë që quhet “Lëvizja e Dizajnit Inteligjent” [Inteligent Deisgn Movement] dhe, në librin tim, unë shpjegoj se pse kjo teori, e cila lejon ekzistencën e Perëndisë si pjesë e shpjegimit të origjinës së jetës dhe planeve të trupit e kështu me radhë, është shkencë e jo fe. Gjithashtu, unë jap arsye se kur është racionale të shkohet kundër shumicës së ekspertëve të një fushe. Pra, edhe nëse shumica e ekspertëve të biologjisë apo fushave të tjera besojnë në evolucion, është e arsyeshme të shkohet kundër tyre nëse plotësohen kritere të caktuara. Pra, unë besoj se ka një alternativë ndaj evolucionit teist. Në opinionin tim, evolucioni teist nuk është mënyrë me integritet për harmonizimin e Shkrimit me shkencën. Fatmirësisht, nuk na duhet ta bëjmë këtë, pasi ka prova të forta për Dizajnin Inteligjent.
Serjani: A mund të përmendni çfarë kontributi jep Dizajni Inteligjent ndaj kësaj marrëdhënieje mes shkencës e besimit?
Moreland: Kontributi që jep Dizajni Inteligjent është se tregon se ne nuk duhet të kufizohemi në shpjegime tërësisht natyraliste kur merreni me shkencë; se, kur merreni me shkencë, është e drejtë, nëse e lejojnë të dhënat, t’i shpjegoni disa të dhëna duke iu referuar veprimeve të një agjenti personal. Merrni parasysh arkeologjinë. Në arkeologji, nëse zbuloni një poçe, nuk ju duhet të shpjegoni nga erdhi ajo poçe me anë te erozionit dhe ligjeve të natyrës. Atë poçe e shpjegoni duke iu referuar një agjenti personal dhe të ndërgjegjshëm që e skicoi atë poçe me një qëllim. Të njëjtën gjë mund të bëni edhe në biologji, nëse jua lejojnë të dhënat. Ajo që Lëvizja e Dizajnit Inteligjent ka bërë është se ka zbuluar fenomene të ndryshme në biologji që thjesht nuk mund të shpjegohen me ligje natyrore dhe mutacion rastësor, por shpjegohen lehtë me veprimet e një Perëndie të fuqishëm që skicon me inteligjencë. Kjo e çliron të krishterin dhe e lejon të përdorë të dhëna në shkencë që shpjegohen me anë të një Perëndie veprues, nëse të dhënat e lejojnë. Ai nuk është më i shtrënguar të thotë, “epo, unë e di se shpjegimi më i mirë do të ishte veprimi i Perëndisë për këtë fenomen, por nuk na lejohet të shkojmë aty, sepse kjo do të thoshte të braktisësh shkencën.” Lëvizja e Dizajnit Inteligjent tregon se kjo nuk është e vërtetë.
Serjani: A mendoni se kjo lëvizje për Dizajnin Inteligjent mund të bëhet një alternativë për origjinën e jetës në shkolla nëpër Shtetet e Bashkuara, në shkolla të mesme e universitete, përveç shkollave të krishtera? A po ndodh diku kjo?
Moreland: Përgjigja është edhe po, edhe jo. Po, ekziston një numër në rritje shkencëtarësh që japin mësim në universitete madhore laike e që po i bashkohen Lëvizjes për Dizajn Inteligjent. Një shembull do të ishte Michael Behe, që ka shkruar libra si “Kutia e Zezë e Darvinit” ku e refuzon darvinizmin në favor të Dizajnit Inteligjent. Pra, po, nuk ka dyshim se ekziston një numër në rritje shkencëtarësh që po i bashkohen Lëvizjes për Dizajn Inteligjent. Por, jo, nuk mendoj se kjo lëvizje do të pranohet gjerësisht, sepse nëse ata njerëz do të zbuloheshin nga kolegët e tyre, do të pushoheshin dhe do të humbitnin punën. Në fakt, është bërë një dokumentar për këtë dhe është shfaqur në kinema. Aty dokumentoheshin një numër rastesh kur lektorë të jashtëm në Universitetin Shtetëror të Ajouas [Iowa] dhe universitete të tjera, shkencëtarë që kishin pranuar Dizajnin Inteligjent, u pushuan nga puna. Profesorë të tjerë që janë të përhershëm shpesh janë detyruar të japin mësim në klasa hyrëse në biologji por nuk u është lejuar të vijojnë t’u japin mësim studentëve pasuniveristarë. Pra, bëhet fjalë për trysni sociologjike të tmerrshme nëpër departamentet e shkencës që të mos dalin nga udha e t’i qëndrojnë të palëkundur darvinizmit dhe, nëse i thyeni lidhjet me atë sociologji, përjashtoheni dhe detyroheni që ta mbani sekret e në heshtje që nuk besoni më në darvinizëm, nëse doni të ruani vendin e punës. Ky është problemi që po hasim. Pra, nuk janë provat problemi, por sociologjia e shkencës.
Serjani: Ju falënderoj shumë, Dr. Moreland, që morët kohë të diskutonit për audiencën shqiptare këto pyetje të rëndësishme! Ishte kënaqësi të bisedoja me ju.
Moreland: Ishte shumë gëzim edhe për mua.
Përktheu: Brunilda Rustani. [1] Kaon Serjani është aktualisht student i filozofisë dhe apologjetikës në Seminarin e Denverit në Colorado, USA.
/TemA/