Kryeinspektorja Bici akuzohet për “Shpërdorimit të detyrës”
Kryeinspektorja e Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici do të përballet në Gjykatën e Pogradecit me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Prokuria e Pogradecit ka njoftuar se pas hetimeve e ka dërguar cështjen në ngarkim të saj në gjykatë. Së bashku me kryeinspektoren do të gjykohet edhe Fatmir Meta, inspektor pranë IKMT-së. Hetimet kanë nisur pas kallëzimit të një banori të Udënishtit në Pogradec, i cili i ka kallëzuar për prishje në mënyrë të paligjshme të lokalit të tij 450 m2, në zonën e Liqenit të Ohrit. Sipas qytetarit dy drejtuesit e IKMT, në kundërshtim të plotë me ligjin, kanë shkatërruar godinën e biznesit të tij, pavarësisht se ai ishte i pajisur me dokumentacionin e plotë ligjor për ndërtesën dhe ushtrimin e aktivitetit. Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se ndërtesa në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente.