Shtabi i Emergjencave Civile është mbledhur sot në Korcë, për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti.
Prefekti Dhori Spirollari është shprehur se janë dëmtuar 121 shtëpi, të cilat pritet të rindërtohen aty ose vend tjetër pas studimeve nga ekspertët sizmiologë.
“Kemi 121 shtëpi të shkatërruara plotësisht. Në Floq kemi dërguar ekspertë të studimeve sizmologjike. Do të vlerësohet nëse do të rindërtojmë banesa aty ku ishin. Do të vlerësohet dhe mund të bëjmë ndërtime banesash në vende të tjera”, tha prefekti Spirollari.
Kujtojmë se qarku i Korçës u godit nga disa tërmete rresht, ku më i fuqishmi ishte 5.3 ballë. Në vendbanime e fshatra të zonës jug-lindore të vendit kishte pasoja në dëme materiale, kurse u plagosën 4 persona.