Flitet shumë për një duel të heshtur larg syve të publikut mes dy liderëve të koalicionit qeverisës, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Parlamentit Ilir Meta, por ky duel ka arritur kulmin në SHBA. Ndërsa kryeministri Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Amerikë dhe pritet që sot, 14 prill, të ketë takimin e shumpërfolur me presidentin Barack Obama, një nga gazetat më të rëndësishme atje, Washington Times, botoi një shkrim ku i thur lavde Ilir Metës, duke e cilësuar atë si nja nga liderat më të rëndësishëm jo vetëm të Shqipërisë, por të Ballkanit.
Analiza e shkruar nga Jason Katz i kushtohet problemit të ekstremizmit fetar me të cilin po përballen vendet e Ballkanit, por gjysma e shkrimit citon Metën dhe bën një profil të tij. Shkrimi duket se është nxitur e mbështetur nga vetë LSI-ja dhe Meta, pasi artikulli u shpërnda sot si njoftim për mediat nga zëdhënësi i Metës.
“Zoti Meta, një nga politikanët më influentë në vendin e tij dhe në rajon, e nisi karrierën duke udhëhequr një lëvizje të guximshme studentësh kundër komunizmit. Si kryeministër, ministër i jashtëm dhe tani kryetar parlamenti Meta gëzon një reputacion të madh për pikpamjet e tij reformiste dhe për përpjekjet e tij dedikuar integrimit euro-atlantik”, shkruan gazetari.
Më tej po në këtë artikull bëhet e ditur se Meta po përgatit një vizitë në Washigton këtë muaj. /27.al/