Reagimi: Shtrenjtimi i kredisë e rritja e komisioneve bankare
Fitimi i sistemit bankar ka shënuar një rënie të ndjeshme në dy muajt e parë të këtij viti. Sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, në periudhën janar-shkurt 2016, bankat kanë fituar 2.2 miliardë lekë, nga 5.4 miliardë lekë që ishte për të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tashmë përpara bankave është sfida e orientimit të biznesit të tyre në kushtet e interesave shumë të ulëta. Gjatë vitit të kaluar, bankat pjesën më të madhe të fondeve të lira i investuan në institucione financiare jashtë vendit, apo në Bankën e Shqipëerisë, për shkak se kredia për ekonominë kishte risk të lartë. Por edhe kjo mundësi u hoq për shkak të interesave negative dhe uljen e interesit nga BSH si mjet “presioni” që bankat të shtonin kredinë për ekonominë. Drejtuesit e bankave thonë se ulja e normave të interesit, është një kërcënim për biznesin e tyre dhe që kërkon eficencë më të madhe për sa i përket menaxhimit të kostove.
Sipas ekspertëve në këto kushte bankat do të vazhdojnë të dekurajojnë depozitat e reja, duke ofruar normë të ulët kthimi, së dyti, nuk është çudi, që në kërkim të normave të kthimit më të larta, bankat të tentojnë rritjen e normave të interesit të kredive. Një dukuri e tillë po ndodh aktualisht në Europë. Po ashtu muajt e fundit bankat kanë filluar të njoftojnë klientën për rritjen apo vendosjen e komisioneve për shërbime të ndryshme.