Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu është shprehur se qytetarët kuksianë nuk do ta presin nesër Kryeministrin në vizitën që do të zhvillojë nesër pranë këtij qyteti.
Shehu në një status në Facebook shkruan se Rama nuk e e trajtoi asnjëherë Kukësin si pjesë të programeve qeveritare, madje ai vjel çdo ditë kuksianët nëpërmjet taksës së rrugës.
Kryebashkiaku shprehet se kjo vizitë e kryeministrit bëhet si gjithmonë me qëllimin dhe dëshirën për të shfrytëzuar cdo burim natyror të këtij qyteti.
Postimi i plotë:
Kukësi, kandidat për çmimin Nobel për mikpritjen e mijëra shqiptarëve të Kosovës, nuk mund t’a presë nesër Kryeministrin që nuk e trajtoi asnjëherë Kukësin si pjesë të programeve qeveritare; Kryeministrin i cili e vjel popullin e varfër të Kukësit çdo ditë e çdo natë nëpërmjet taksës së rrugës; Kryeministrin që lejon e pranon ndarjen e Kosovës.
Nesër ai vjen, si gjithmonë, me deshirën për të shfrytëzuar çdo burim natyror të Kukësit, deri dhe aeroportin e Kukësit, që është dhuratë për popullin e Kukësit për humanizmin e treguar gjatë Luftës së Kosovës, i cili me një të rënë të lapsit ua jep konçensionarëve si të ishte pronë e tij.
E vetmja ndihmë për Kukësin, vjen nga vellezërit tanë në Kosovë që ndërtuan kopshte, shkolla dhe qendra shëndetsore për fëmijët, ndërsa Kryeministrit tonë duhet t’i tregojë dikush se fëmijët nuk mund të luajnë futboll me barkun bosh.
Kryeministri Rama u mandatua dy herë për të drejtuar Shqipërinë dhe pasi ofroi kanabizim, kriminalizim, dëbimin e shqiptarëve jashtë atdheut dhe dëshpërimin shoqëror në vendin tonë, në vitin e 6 të mandatit të tij, po ikën me ëndrrën për të drejtuar Bashkinë e Kukësit.
Të vetmen bashki që drejton Rama në qarkun tonë është Bashkia e Hasit, se cilës i ofroi laborator droge dhe ikje masive.
Për të gjitha këto, Rama duhet të ikë.