“Urgjenca Gjuhësore” është një projekt fantastik në mbrojtje të gjuhës shqipe i inicuar nga profesori i njohur i gjuhësisë shqiptare Gjovalin Shkurtaj. Pas botimit të librit me të njëjtin titull, ku veçon gabimet që bëhen sot me gjuhën shqipe, ai ka nisur një komunikim online, një radio me emicione konkrete ku ngre çështje të keqpërdorimit të gjuhës shqipe.
Radio Urgjenca Gjuhësore gjendet në soundcloud.com dhe deri më tani profesor Gjokutaj ka realizuar 13 emisione për gjuhën shqipe që mund t’i dëgjoni online.
Çdo emision merret me një çështje të caktuar të gjuhës dhe përdorimi të saj, si; Gjuha, domethënia dhe kuptimet e saj; Ndikimi gjuhësor i letërsisë në jetën e shoqërisë; Atdhetaria dhe virtytet e malësorëve në Poemën Lahuta e Malcis; Elemente të etnografisë në romanin “Sikur të isha djalë” të Haki Stërmillit; Fjalët e huaja në gjuhën shqipe; Disa dukuri të ligjërimit poetik; Figura e Gjergj Kastriotit-Skëndërbeut në letërsi dhe në folkor; Gjuha standarde dhe dialektet; etj..
“Shqipja është gjuhë e hapur dhe Shqipëria është e hapur, por ne jemi më imitues se ç’duhet, pa qenë nevoja. Shqipja është shumë e pasur dhe i ka vetë shumë prej fjalëve, që folësit i huazojnë nga gjuhët e huaja” – thotë profesor Shkurtaj.
Siaps tij shqipja është një gjuhë me vlera të mëdha. Shqipja e ka sjellë kombin shqiptar deri këtu, thotë ai, duke cituar prof.Eqrem Çabejn, se ruajtja, zhvillimi dhe pastërtia e shqipes ka të bëjë me palcën e kombit. “Kam punuar afro 10 vjet me gjuhëtarin e mirënjohur Eqrem Çabej. Libri i tij më i përdorur mbi tryezën e punës, faqet e të cilit ishin plotësisht të ngrëna ishte pikërisht Fjalori i Gjuhës Shqipe. Si ai, edhe ne të gjithë duhet ta duam dhe duhet të kujdesemi për pastërtinë e gjuhës tonë, duke dyshuar mbi çdo fjalë të re, që marrim nga jashtë shqipes, duke pyetur veten nëse e ka apo jo vetë shqipja atë fjalë” – shprehet profesor Gjovalini në një intervistë të hershme për Zërin e Amerikës.
Ai ia ka kushtuar gjithë jetën studimit të gjuhës shqipe, dialekteve, socio-linguistikës dhe etnografisë së të folurit./27.al