Nga Ilir Seci
Ndër shqiptarë ekziston nji prirje e pashpjegueshme mazohiste me u vetë-fajësue kolektivisht për bëmat e nji individi apo nji grupimi të caktuem shoqnor. Sa ndodh nji krim tronditës, nji akt individual mbrenda apo jashtë Shqipnisë, menjiherë gëlojnë reagimet :
– “Na turpëruan para botës.”, “Po ia prishin imazhin vendit.”, “E gjithë bota po na sheh.”, “S’kemi me fytyrë t’i themi kujt që jemi shqiptarë.”, “Na nxinë faqen.”, etj, etj…
Nji mazohizëm kolektiv, krejt i pakuptimtë. Për fillim duhet mos me harrue se Bota ka plot gjana tjera me u marrë para se me krijue opinione për Shqipninë e vogël, diku në nji cep të Europës. Shumicës së Botës, në fakt duhet me u dhanë nji leksion gjeografie, vetëm për me u diftue se ku bjen në Europë ish-Fanari Ndriçues. Mbasandej kjo Botë ka pamun kaq shumë luftna, gjenocide, krime e llahtari, nga ma të përbindshmet, saqi bâmat e shqiptarëve janë nji kontribut krejt modest në atë lëmi. Prandaj, mbani frymën dhe ia kurseni vetid atë mundim të kotë se nuk i bahet kujt vonë. Bile në këto 20 vjet që kam në Perëndim kam vërejtë se as që pyet kush për atë punë. Problemin e imazhit e kena vetë ne, shqiptarët, nuk e ka bota.
Imazhin e kena problem tonin shekullor. E kena këtë problem, sepse jemi popull që jemi mësue me rrejtë veten. Traditë shekullore kjo. Sa vinte dikush vizitë ngrihej tanë shpia në kambë “Shpejt me rregullue shpinë, lani, fshini e pastroni se po na vijnë njerëz.” – ishte refreni…Tash ju a po e rregulloni, lani fshini e pastroni, se duhet me mbajte higjenë apo thjeshtë se po vjen dikush dhe duhet me u paraqite mirë!? Në kohën e komunizmit ky kompleksi folklorik i paraqitjes mirë para botës u ngrit në sistem. U shpikën vitrinat, imazhet kallpe për vizitoret e huej. Prej asaj kohe ky farë vetë-mashtrimi i krijimit të imazhit të mirë para botës ka hedhë rranjët fellë në mendjet e shqiptareve, që ende mendojnë se Bota s’ka tjetër punë, vetëm me kqyrë imazhin tonë. Që ende mendojnë se Bota sa çohen në mëngjes bajnë informacion politik mbi imazhin e Shqipnisë – si me qenë prioritet global.
Hiqeni mendje atë iluzion o njerëz…
Vetëm njerëzit që i kemi zgjedhë na vetë me na prezantue para Botës munden me na turpërue, askush tjetër. Si për shembull qeveritë, ambasadorët, sportistët në ekipe kombëtare ose lojëra olimpike. Vetëm këta, qeveria me korrupsionin e saj në atdhe, ambasadat me paaftësine e tyne, sportistët duke u paraqitë dobët ose duke u përfshi në skandale si dopingu, këto po që janë imazh i vendit, sepse i kemi zgjedhë vetë si të tillë…Tjetër kush jo.
Nji vend s’ka pse ndihet keq nga individë që nuk përfaqësojnë kënd tjetër, pos vetvetes. Individë që ma së pari nuk i ka zgjedhë kush përfaqësues. E njajta gja vlen edhe për individët që janë të suksesshëm. Edhe ata persona nuk i ka zgjedhë kush përfaqesues të vendit. Kanë zgjedhë vetë shtigjet për me mbërri te suksesi dhe e gëzofshin atë sukses. Por, janë thjesht përfaqësues të vetvetes. Askujt tjetër. Çdo përpjekje me i paraqitë individët e suksesshëm si përfaqësues kolektivë, asht marrëzi e njajtë me përpjekjen me i paraqitë keqbërësit si përfaqesues kolektivë. Nga kushdo që të vijnë kjo prirje për përfaqësim kolektiv, asht thjesht delir…
E kur asht delir mbasandej dihet se çka ndodh, deliri s’ka fre dhe del nji kangtar opere i suksesshem si po thonë, dhe pa iu dridhe qerpiku deklaron se :
-“Do më duhen 200 mijë shfaqje që të rekuperoj dëmin e një gomë të djegur…”
Perëndia ti ruejte mendtë e kresë more djale…Sufleri i skenës ta paska dhanë tekstin tjetër për tjetër. Merru me vokalicat, kqyr partiturat e gjej ndonje sufler te hajrit mor djale se me pasë qenë problem imazhi nga gomat e djeguna në protesta, sot Parisi s’do gjente vend ku me u futë nga turpi. Turp dhe imazh te parikuperueshem nuk krijojne protestat por e krijojne servilizmi dhe konformizmi. E krijom sumëputhja e pushtetareve. Njeriu i lire nuk ka pse ndjen turp nga protesta ndaj padrejtesisë, turp duhet me i ardhe nga konformizmi dhe pajtimi me të keqen.
Si e thame ma nalt per turp na bajne vetem perfaqesuesit e zgjedhun nga vetë ne …doni nji shembull… Ata po na Turperojne dhe na Poshtërojnë para botes… Doni nji shembull – Turp i madh ishte kur kryeministri shqiptar ishte i vetmi drejtues ne bote qe doli në CNN e tha se “Donald Trump është turp për qyteterimin.”. Dhe per mos me e lane me aq vinte Poshterimi mbrapa kur po ky kryeminister qe kish quejte “turp” kandidatin Trump, sa fitonte Trumpi lepinte çka kishte peshty dhe zgjaste qafen si xhirafa me dale ne nji foto me Presidentin Trump në ndonji Samit… Samit prej verteti e jo si Samiti i Majkos…
Kjo sjellje e drejtuesit te zgjedhun damton imazhin e vendit, e nxin ma shume se tymi i gomave te djeguna qe e shqetesuen tenorin… Dhe kur imazhin e vendit e prishin drejtuesit e zgjedhun me vota nuk ka pirgje Saimiresh që ta ndreqin…