Ndërkohë që protesta e opozitës sapo ka përfunduar, OSBE ka reaguar përmes një deklarate ku dënon dhunën që sipas saj është e nxitur politikisht, duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi.
Sipas zyrës së OSBE-së në Tiranë, situata politike në vend po monitorohet nga ana e saj dhe shpreh shqetësimin për mënyrën se si po agravon ajo.
Deklarata e OSBE-së:
Dhuna nuk është përgjigjja për problemet e Shqipërisë. Ne e dënojmë sërish nxitjen politike të dhunës dhe bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe përgjegjësi. Të protestuarit është një akt demokratik, por djegia e gomave, përdorimi i shashkave dhe çarja e kordonëve të policisë për të sulmuar një institucion publik, dhe veçanërisht zemrën e demokracisë, nuk janë të tillë. Po ashtu, e nxisim policinë të reagojë në mënyrë përpjestimore. Ne po e monitorojmë situatën me shqetësim. Përgëzojmë mediat për shërbimin e madh që po i bëjnë demokracisë përmes raportimeve të drejtpërdrejta.