Një vendim i paprecedentë i AKEP, i zbatuar pas një urdhëri të policisë ka bërë që të bllokohen valët e kompanive celulare në disa zona të Tiranës. Pas këtij vendimi që arsyetohet si i domosdoshëm për nevoja të sigurisë publike, qytetarët janë konfuzë dhe në panik. Zëra jo zyrtarë në media deklarojnë se komunikimi përmes telefonisë së lëvizshme është ndërprerë nga policia me arsyetimin se ka rrezik për shpërthime apo bomba që komandohen me celularë.
Bllokimi i komunikimit celular për disa orë u krijon probleme bizneseve dhe mediave, por më e rëdësishmja është se pamundëson komunikimin e qytetarëve me ambulancën e policinë në raste nevoje.