Në një vizitë në shtëpinë e prindërve të miturës së përdhunuar në Kavajë, Elisa Spiropali garantoi bursë shkollimi brenda ose jashtë vendit dhe mbështetje për vajzën e rënë pre e agresionit të 8 djemve. Babai i vajzës falenderoi institucionet shtetërore për ndihmën e marrë si dhe kërkoi që media të mos i shtojë më dhimbjen dhe të mos merret më me këtë histori.
Nëse deri më tani, familjarët e vajzës së abuzuar në Kavajë nuk kishin dalë në media dhe nuk njiheshin publikisht, prej ditës së sotme, fytyrat e tyre janë përhapur gjerësisht nëpër media.
Ka qenë ERT-ja e kryeministrit që ka publikuar videon me zë dhe figurë të babait, nënës dhe gjyshit të 13 vjeçares.
Deputetja dhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali ka vizituar familjen gjatë ditës së sotme, ndërsa babai i vajzës ka një mesazh për mediat.
ERTV-ja thotë se “ata ndjehen të pambrojtur nga agresioni publik i politikës e medias dhe luten për respektimin e privatësisë së vajzës”.
Pjesë nga dialogu midis Spiropalit dhe familjarëve:
Babai: Kam një vajzë inteligjente dhe me kurajë që nuk mund ta përshkruaj unë si prind.
Spiropali: Ky është një mesazh për të gjithë. Këtu në këtë shpi dhe me fisnikërinë që tregoni jeni shembuj për të gjithë. Shoqëritë e qytetëruara dallohen nga mënyra se si përballen me sfidat.
Babai: I bëj thirrje mediave që nëse jemi plagosur një herë, mos më plagosni dy herë. Mos ju raftë ky rast kurrë asnjërit. Më lejoni ta përballoj me forcat e mia dhe me njerëzit.