Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shprehet se kërkesat do të plotësohen, por sipas afateve.
“Përshëndes deklaratën e Senatit Akademik të UT. Uroj që t’i garantohet mësimi një orë e më parë shumicës që po pengohet brutalisht. Kërkesat do të përmbushen sipas planit të publikuar dhe po shkojmë shumë përtej tyre. Dialogu e bashkëpunimi me universitetet do thellohet #MeStudentët“, shkruan Rama.
Deklarata e Senatit Akademik:
Senati i Universitetit të Tiranës, duke besuar në vlerat dhe potencialin intelektual të personelit akademik dhe studentëve të tij, mbështetur në parimet mbi të cilat ai funksionon, lirinë e mendimit dhe të shprehjes, autonominë universitare, transparencën, meritokracinë, kolegiialitetin dhe mosdiskriminimin, në mbledhjen e datës 14.01.2019 vendosi të dalë me këtë deklaratë publike:
1. Rikonfirmon mbështetjen e kërkesave të studentëve.
2. Garanton të drejtën e studentëve dhe personelit akademik për zhvillimin normal të procesit mësimor, duke u kërkuar studentëve të Universitetit të Tiranës ndjekjen e procesit mësimor dhe duke respektuar njëkohësisht të drejtën e tyre për të protestuar.
3. Vlerëson personelin akademik të Universitetit të Tiranës dhe rolin që ai ka në këtë proces reformimi dhe përmirësimi të veprimtarisë së UT, integriteti dhe autoriteti i të cilit duhet të mbrohet në të mirë të realizimit të misonit të tij.
4. Garanton plotësimin e programit mësimor per vitin akademik 2018-2019, nëpërmjet zëvendësimit të orëve mësimore të parealizuara për shkak të protestës, duke përshtatur strukturën akademike të vitit 2018-2019.
5. Garanton shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave dhe shtyrjen e procedurave të marrjes së dokumentacionit për përfitim burse dhe të studentëve të kategorive të veęanta.
6. Ngritjen e një grupi pune me anëtarë nga Senati Akademik për të koordinuar vlerësimin lidhur me aktet nënligjore të miratuara, i cili i paraqet materialet deri me datë 22 Janar 2019.
/Faxweb/