Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po mban fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, lidhur me propozimin opozitës për vetingun në politikë, që sipas tij është e njëjta gjë që po u bëhet gjyqtarëve, prokurorëve e policëve.
Ndërsa akuzoi qeverinë si e ardhur në pushtet me anë të krimit, në sallë maxhoranca filloi me ovacione e kundërshtime, ndërsa Basha kërkoi nga kreu i Kuvendit që të mbante qetësi ose në të kundër të do ta bënte ai vetë.
“Mbaj qetësi Gramoz Ruçi, apo ta mbaj unë? Jo mos më bëj me dorë, thuaju të mbajnë qetësinë”, – tha Basha.
Kryedemokrati u shpreh se “Bashkimi i të gjithë qelbësirave është strategjia e Edi Ramës për të marrë pushtetin. Fatura e bashkimit të të gjithë këtyre qelbësirave është dëshira e shqiptarëve për tu larguar nga vendi.
Kjo aleancë e Edi Ramës me krimin e kanë futur shtetin në krizë të thellë.
Sot në krye të shtetit kemi vëllezërit e mafiozëve, ata kontrollojnë shtetin, pensionet tuaja, madje dhe sinjalin televiziv.
Sot opozita do të votojë projektin për Veting, ashtu siç u bëhet policisë, gjyqtarëve e prokurorëve etj.”
Më tej ai u shpreh se është e turpshme të thuash se të kërkosh veting në politikë është ndërhyrje në drejtësi, ndërsa u bëri thirrje të gjithëve që të votojnë amendamentin kushtetues. Ai tha se nëse do ta votini këtë amendament, opozita do të votojë çdo sugjerim të maxhorancës për vetingun, me kushtin që ta ketë miratuar Komisioni i Venecias.