Ceremonitë për presidentin mbahen më 7 dhe 8 prill
Mes të ftuarve të shumtë në ceremonitë zyrtare të marrjes së presidencës së Kosovës nga Hashim Thaçi do të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Kreu i qeverisë udhëton nesër për Prishtinë ku do të jetë në seancën solemne të betimit të Presidentit të ri, Hashim Thaçi, në Kuvendin e Kosovës. Më pas Rama do të ketë një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i parashikuar në orën 13:15. Kryeministri Rama do të qëndrojë dy ditë në Kosovë, pasi më 8 prill do të organizohet edhe ceremonia e inaugurimit të Hashim Thaçit, si President i Kosovës, ceremoni kjo që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” në orën 11:00. Në ceremoni janë të ftuar krerë shtetesh, por edhe mjaft personalitete nga e gjithë bota.