Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, ka bërë përshtypje ngjitja në tribunë e pedagogut Rezart Prifti i cili me fjalimin e tij ka thumbuar jo pak demokratët, por edhe ka treguar arsyet pse vendosi të marrë pjesë në këtë Kuvend.
Ai nuk i kurseu kritikat ndaj demokratëve duke thënë se në Kuvend kishte dëgjuar shumë fjalime të drunjta që nuk kanë lidhje me hallet e qytetarëve.
“Atdheu është lakuriq. Në kohën e qoftëlargut, për këtë shprehje, Trifon Xhagjika u dënua me vdekje. Edhe sot që flasim, atdheu është po lakuriq, Arsyeja tjetër pse erdha ka të bëjë me PD. Dëgjuam këtu lloj e soj fjalimesh, fjalime të përgatitura për hënën dhe jo për njerëzit që janë në sheshe. Fjalë shumë të drunjta, një tjerrje masive që nuk vete në veshin, e jo më në shpirtin e njeriut. Kjo organizatë ka nevojë për një alternativë. “ – tha ndër të tjera Prifti.
Ai i shpjegoi arsyet pse merrte pjesë në këtë Kuvend duke thënë se beson tek një shtet i vogël, beson tek taksat e ulta dhe beson tek qytetaria.
“Të jenë të bindur ata që mendojnë se jam bërë zar i ndonjë partie, që kjo nuk ka për të ndodhur. Me të njëjtin intesitet që punova 4 vite kështu do të vijoj,” – u shpreh Prifti gjatë fjalës së tij.