Nga Mehmet Elezi
1.
I dëgjuat lajmet? I patë te Zëri i Amerikës, i lexuat në gazetë? Mund t’i ndiqini prapë në internet.
Duan të vrasin Valbonën!
Duan të ndërtojnë njëmbëdhjetë hidrocentrale në 25 kilometër gjatësi përgjatë një lugine që vetë Roma e lashtë e Ciceronit e quajti Lugina e Mirë, Valbona. Përgjatë njërës prej perlave parajsore të Shqipërisë. Dhe të Europës. E pandotur ende.
Duan të shtinë në dhé të gjallë Valbonën.
Duan ta murojnë si Rozafën. Jo me gurë, por me beton.
Rozafa u flijua për një kala që do të mbronte jetën e ilirëve e të Ilirisë.
Valbonën duan ta flijojnë për të stërmbushur xhepat e vet, duke prishur jetën e shqiptarëve e të Shqipërisë.
2.
Këmbëngulja te ky projekt më kujton vrasësit e elefantëve në Afrikë. Janë gati me zhdukë të gjithë elefantët si racë, vetëm për një grimë fildish që fshihet në dhëmbin e tyre. Për ta shitur e për t’u pasuruar vetë.
Këmbëngulja te ky projekt më kujton fiset vendase të Amerikës së Jugut, përballë eksploratorëve spanjollë. Ata jepnin floririn duke e shkëmbyer me copa pasqyrash të thyera. Ata aq dinin. Vrasësit shtetërorë që i kanë zënë pritë Valbonës për ta vrarë duke fituar diçka sot, dinë më shumë, por duan shumë e më shumë. Për të shtuar milionat e tyre, jo për Shqipërinë.
Ata që i kanë zënë pritë Valbonës nuk e duan Valbonën?
E duan, por jo siç është. E keni parë filmin E bukura e ditës (Belle de Jour), të regjisorit Luis Bunuel? Ashtu e duan ata Valbonën: shtrirë në arkivol, duke prostituar për ta!
3.
Një përllogaritje e thjeshtë kallëzon se të ardhurat prej turizmit në Parkun Kombëtar të Valbonës janë disa herë më të mëdha se fitimi nga energjia e mundshme e atyre hidrocentraleve. Këto të ardhura rriten vit për vit falë punës së atyre njerëzve. Dhe falë bukurive të Valbonës.
Turizmi është i vetmi burim jetese për banorët e atjeshëm. Me turizëm nxjerrin bukën e përditshme. Është e vetmja mundësi që kanë me rritë e me shkollue fëmijët.
Shkatërrimi i Valbonës do të ishte rrënim i tyre. Rrënim i të ardhmes së fëmijëve të tyre. I kryer nga shteti i tyre.
3.
Shkatërrimi i Valbonës do të ishte shkretim kulturor.
Pa Valbonën s’do të kishte lëvizje e zhvillim. Komunikimi me pjesët e tjera të vendit e me botën, që jetësohet nëpërmjet turizmit, do të mpihej. Do të paralizohej e thahej.
Pa Valbonën do të vritej ekosistemi. S’do të kishte më trofta me pikla të kuqe si dredhëza.
Pa Valbonën s’do të kishte më akullnaja të përjetshme dhe Shpanik, kush do të vinte me i pa? Shpaniku është lum i nëndheshëm, shpërthen në faqe të shkëmbit në Klysyrë një herë në vit, dy herë në vit, derdhet mbi Valbonë ujvarë plot ylbere e mistere. Prurjet e tij janë më të shumta se prurjet e Valbonës. Zgjatin një ditë, dy ditë, zhduken siç erdhën. Ia behin rishtazi. Krejt papritmas, pa i çuar fjalë kujt.
Pa Valbonën s’do të kishte histori të gjallë të krahinës. Klysyra, vendi ku në fillim të marsit 1942 u krijua çeta e Malsisë së Gjakovës, e dyta në Shqipëri pas çetës së Pezës për kah vjetërsia (Fjalori Enciklopedik Shqiptar, 1985), s’do të shihej nga kush. Shpella ku u vra Bajram Curri s’do të priste vizitorë.
Pa Valbonën s’do të kishte më legjenda. Shpellën e Imerit, ku besohet se u varros Omeri i Mujës e ku Ajkuna piskati “T’u shkimtë drita ty mori hanë!”, s’do të kishte më sy që e shohin. As Lugjet e Verdha me dhi të egra, që fshehin fuqinë e kryekreshnikut në brirët e hollë e të tejdukshëm si hënëza. As…
Pa Valbonën koha do të thithte barkun, duke tërhequr brenda në harresë shumëçka: hotelet me stil alpin, kullat e pakëta trekatëshe që kanë mbijetuar, lahutat e lahutarët, vallet degëzime të Vallëzimit të Shqipeve, vajzat Tanusha me “shtegun e ballit si shtegu i malit/ kur merr hana me prarue”. S’do të merrte kush mundimin me ardhë e me u mpakë duke parë Valbonën robinë, qafëprerë e frymëzënë nëpër tuba e beton-tunele.
Pa Valbonën s’do të kish më jetë aty. Do të iknin të gjithë, të gjithë. Njerëz, zogj e zana.
4.
Valbonë, lumë i ëndërrt, “moj e bukur e trishtuar/ ç’më kujtove monë e shkuar”. Motin e shkuar siç e kishte mall Arbëreshi i Madh?
E kundërta.
Më kujtove “monë” e shkuar të viteve tetëdhjetë të qindvjetëshit që iku, kur pushteti komunist filloi me tha liqenet syshkruar të Lurës. Përse? Me ujitë me syrin e tyre arat me misër, “që të bëhet bukë për popullin”.
Më kujtove “monë” e shkuar të viteve shtatëdhjetë të qindvjetëshit që iku, kur Valbonës i vranë birin e saj. Ia mbytën me një mal përsipri Pusterrin e Rajës. Pusterri i Rajës ka qenë liqenth aq i thellë sa s’i dukej fundi, i kthjellët si loti, mbushej buzë në buzë e derdhej në Valbonë. Po aq i magjishëm sa Syri i Kaltër në Sarandë, sa Syni i Skafkaçit në Vuthaj. Duhet lëndë inerte për digën e hidrocentralit të Fierzës, u tha, dhe Pusterri u mbyt me një shpërthim masiv të malit. Ani pse vargu i maleve përreth është pa fund e plasja mund të bëhej në cilindo prej tyre.
5.
Çka mund të ishin bjeshkët shqiptare pa Valbonën?
Do të ishin si E Bukura e Dheut me sy të shterrur, verbuar me hanxhar.
Ata që duan ta jetësojnë këtë masakër, s’i ka verbuar hanxhari. Ua ka marrë sytë parja. Pasurim e prapë pasurim, vetëm pasurim. Për vete.
Në u lejoftë kjo mizori e turpshme mesjetare, bjeshkët shqiptare nuk do të thirren më me gjuhën tonë të bukur. Do të thirren me gjuhën e atyre që nuk na duan as të bukur, as të bekuar. Do të shndërrohen përnjëmend në Bjeshkë të Nemuna, Prokleti, siç i kanë quajtur do të tjerë, siç nuk i kanë quajtur kurrë shqiptarët.
A flasin shqip ata që shestojnë e përmbushin këso projektesh përbindshore?
6.
Çdo shfajësim pingpongu, që mundohet me i lanë kopilin në derë qeverisë së mëparshme, shpreh vetëm këmbëngulje kriminale dhe dyfytyrësi.
Kur ia do interesi, qeveria e sotme ka shfuqizuar me bujë vendimet e qeverisë Berisha.
Pse nuk shfuqizon edhe këtë vendim, nëse paska qenë?
Pse tërë ky gjakim me e zbatue tashti?
7.
Vetëm banorët e Valbonës dhe një pjesë e medias kanë folur deri tashti. Ndër to edhe Zëri i Amerikës.
As forcat politike, as shoqëria civile, s’kanë pipëtirë, s’kanë bërë cik.
As analistët “e pavarur”. As studiuesit që dinë ç’përfaqëson Valbona.
Mbase dikush s’e do Tropojën. Për pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë ajo trevë ka qenë diskriminuar pa mëshirë. Ka qenë ndoshta më e ngujuara (izoluara) në Europë. Prej aty vinte energjia e Drinit për tërë vendin, eksportoheshin mija e mija tonelata krom nga minierat e Kamit e të Rrogamit, megjithatë një kilometër rrugë e asfaltuar s’u ndërtua.
Por Valbona nuk është vetëm e tropojasve. Valbona është e gjithë shqiptarëve. Nga Tirana, Saranda, Prishtina, Tetova, Presheva, Ulqini, mërgata, turren drejt saj. Si Bregdeti i Jonit, për shembull, që është i gjithë shqiptarëve. E dinë këtë?
Valbona nesër do të jetë pasuri europiane. Si Davosi, për shembull. E dinë këtë?
8.
Shpëtojeni ushtarin Rajan, thotë Spielbergu. U mobilizuan, u copëtuan e vdiqën shumë të tjerë me shpëtue Një. Në emër të një Vlere.
Me shpëtue Valbonën s’ka nevojë me vdekë kush.
Ka nevojë me u mobilizue gjithkush.
Ka nevojë me u shpërgjumë të gjithë ne, me u zgjue shpirti kombëtar shqiptar, shpirti europian. Dhe me i zanë rrugën shkatërrimit: ndal!
Shpëtimi i Valbonës është pjesë e shpëtimit të Vetvetes. Ndihmoji vetes pak, se të ndihmoj unë shumë, ka thënë Zoti, sipas Librave të Shenjtë.
04 prill 2016