Në vitin 1999, lotët e tyre prekën gjithë planetin. Fotografia e tyre u bë një simbol i luftës së egër të Kosovës.
Njëzet vite më parë, Albenita (22) humbi prindërit e saj, babai u vra nga ushtarët serbë, ndërsa nëna rezultonte e zhdukur.
Kur fotografia e vajzës që qante (atëherë tre vjeçare) u përhap në tërë botën, më 7 prill 1999, gazetarët e BILD-it shkuan në kërkim të saj.
Ata e gjetën fëmijën në Shqipëri vetëm pak kohë më vonë. Atje, Albenita kishte ikur me motrën Albiona (atëherë një vjeçare) dhe gjyshen e saj. Me mbështetjen e organizatës humanitare të BILD-it, “Një zemër për fëmijë”, të tre u dërguan në Gjermani, më 10 prill.
“Më kujtohet vetëm pak, por e di se nuk kisha frikë më, në Gjermani u mirëpritëm ngrohtësisht. U ndjeva shumë mirë “, thotë Albenita sot.
“Unë ende nuk mund ta kuptoj se sa shumë kishin marr pjesë gjermanët gjatë transmetimit të rrëfimit tim. Pa ‘Një zemër për fëmijë’, ndoshta nuk do të kishim mbijetuar”.
Ajo me motrën e saj, jeton pesëdhjetë kilometra në veri të Venedikut, tek halla e saj, informon Albinfo.ch. Vajzat u vendosën këtu në vitin 2003, pas vdekjes së gjyshes së tyre.
Jo vetëm historia e jashtëzakonshme e shpëtimit e ndërlidh rrëfimin me motrat. Albiona vuan nga një formë e rëndë e epilepsisë. Gjatë gjithë kohës, Albenita kujdeset për të: “Unë jam motra, nëna dhe shoqja e saj më e mirë, kështu edhe duhet të qëndrojë”.