Raimonda Shundi rrëfen historinë e Margaritës, mësueses së dashur të rusishtes që zgjodhi Shqipërinë. Historia e dashurisë me gjeneralin kosovar si dhe sfidat e jetës së mamasë së dy artistve të njohur shqiptar
Nga Raimonda Shundi Dervishi
Rusja, që jeton mbi 63 vjet në Shqipërinë e viteve ‘50 pa u dëmtuar asnjë grimë nga ndërrimi i pushteteve, përthithi maksimalisht të mirat e një sistemi hermetik e kryesisht të palumtur. Ishte 19 vjeç kur zhvendoset në Shqipëri pasi njihet në vendin e saj të madh me kosovarin gjeneral Nexhat Sulejmanin, kur ai studionte në “Akademinë Lenin”. Shumë Rusëve të tjerë, që u martuan me Shqiptarë i’u hapën probleme serioze me sistemin hoxhian pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Sovjetikët, ndërsa Margarita jonë ndjehet me fat, me shumë fat. Ajo rrëfen se falë të qenit Kosovar të të shoqit, nuk u rrezikua nga sulmet që i bëheshin bashkëkombësve të mbetur në Shqipëri. Ajo mundi të shijojë 100% Shqipërinë e virgjër, me shanset që një vend i vogël në izolim si i yni i ofroi. “Asnjëra nga motrat e mia (që janë në Rusi) nuk e kishin fatin tim”, thotë ajo. Mamaja e balerinës së parë Shqiptare të viteve 80’, Albana (Tatiana) Sulejmani, si dhe Ilir Sulejmanit (fillimisht aktor), na tregon një histori emocionuese familjare. Prindërit rus të Margaritës, e cila ndjehet vendase në Shqipëri kanë koklavitjen e rrallë dashurore. Braktiset nga nëna dhe rritet me përkushtim nga gjyshja për ta njohur me nxënësin e saj, kosovarin gjeneral. Por le të qëndrojmë në këtë histori dashurie shumë të veçantë për të prekur një realitet Rus, ku kujtojmë edhe se si Pushkini e Tolstoi na kanë magjepsur me historitë e dashurisë epike.
Prindërit e mi ishin të çakërdisur, pasi patën një histori në kufijtë e çmendurisë
Maria njihet me gjeneralin Sulejmani kur ai ishte në Bashkimin Sovjetik për studime në Akademinë Ushtarake “Lenin” për tre vjet. I përfshirë nga arti ushtarak, Nexhati frekuentonte skrupulozisht leksionet, duke bërë që të tërhiqte vëmendjen e pedagogëve të shkollës. Pikërisht këtu nis edhe filli i ngjarjes sonë. Gjenerali sapo rinisi studimet e lëna në mes nga shkollat Italiane, pas angazhimit vullnetar në Luftën e Dytë Botërore. I trishtuar dhe me zemër të thyer nga humbja e miqve të tij në luftë, iu përkushtua me zemër këtij profesioni. Ishte djali i preferuar i mësueses së frëngjishtes e cila e ftonte shpesh në drekat apo darkat familjare, ku gjyshja jetonte me mbesë – vajzë prej 19 vitesh. Ata kishin rreth 10 vjet diferencë me njëri – tjetrin dhe për të dy ishte historia e parë e dashurisë. “Nuk e zgjodha unë, por ma dhanë”, thotë Margarita në rrëfimin tonë me nota humori, por isha më me fat nga të tre motrat. Familja Nadjushi (kështu është mbiemri në familjen e Margaritës) i përkiste familjeve inteligjente në Moskë. Inteligjentë, por jo të pasur. Gjyshja e Margaritës kishte 3 vajza dhe një djalë. I pari ishte djali, pasi studioi, nisi punë si drejtues i një fabrike të rëndësishme të makinave eksperimentale në Gorki. “Kur mbërrita në Shqipëri, direkt nisa të punoja për rreth 5 vjet në ndërmarrjen ‘Gjeollogji Miniera’. Rroga e parë ishte gati 5 mijë lekë që im shoq nuk ma prekte, ma linte ta kisha për ‘lekë zhepi’. Ne shpëtuam nga persekutimi që iu bë një pjese te madhe të rusëve në Shqipëri pas prishjes së marrëdhënieve ngaqë Nexhati ishte kosovar”, thotë Margarita. Familja e tij lëvizi nga Kosova në Turqi, e më pas në Kavajë. Ndërsa vetë gjenerali jetoi midis pesë shtetesh, Kosovës, Turqisë, Shqipërisë, Italisë dhe Moskës. Familja inteligjente Moskovite, kishte mundur të edukonte bukur fëmijët, por edhe me dëshirën për punën, muzikën, letërsinë e gjuhën e huaj. Familja kishte një piano dhe në kohën e lirë ushtroheshin atje. Kur gjyshja e Margaritës i kërkoi gjeneralit të ri në mundej ta merrte edhe Ritën me vete në vendin e tij, pasi ndiqte komoditetin e të rinjve me njëri-tjetrin, ai iu përgjigj se kishte kohë që e mendonte. Kjo varej vetëm nga ambasadat e vendeve, e nëse do të ishin pa probleme djaloshi qe dakord që çifti të jetonte në vendin e shqipeve.
Dashuria e çmendur e çiftit Moskovit
“Prindërit e mi ishin të çakërdisur, pasi patën një histori dashurie në kufijtë e çmendurisë dhe ndarjes” – thotë, Rita kur e pyes se si ishte raporti i saj më prindërit. Vogëlushen e rriti gjyshja, pasi mamaja e la në spital që në momentin kur ajo lindi. “Mamaja u martua me dashuri dhe u nda nga babai im nga kapriçot e çuditshme të saj. Babai kishte natën e diplomimit për mjekësi, ndërkohë që mamaja ishte shtatzënë me mua, madje në muajin e fundit. Hezitimi i babait që ajo të asistonte në diplomimin si mjek, pasi barku dhe situata qenë pak e sikletshme (për ditën e rëndësishme të diplomimit), krijuan edhe sherrin fatal. Ndërkohë që po konfliktoheshin, i nisën dhimbjet e lindjes dhe mamaja shkon direkt në spital. Pas këtij incidenti, ajo jo vetëm që nuk e pranoi më në maternitet babain, por u nda përfundimisht. Ishte gjëja e gabuar, nuk bëri aspak mirë. Babai donte të shihte vajzën, ndërsa mamaja i la porosi personelit të spitalit, që mos ta lejonin të hynte. Babai lutej, përgjërohej… por ajo nuk pranonte. Nuk mjaftoi vetëm këtu, por u betua se mua nuk do të më shihte më dhe urdhëroi të më besonin në strukturat shtetërore për adoptim. Pas kësaj, del nga spitali, pa më parë. Gjyshja pyet se ku isha unë, mamaja përgjigjet qartë se s’kishte vajzë, pasi atë ia dhuroj shtetit. Gjyshërit direkt më marrin dhe nga ai moment nuk ndjeva asnjë mungesë mamaje. Por pas atij momenti mamaja nuk donte të më shihte me sy. Më evitonte. Bashkohet prapë me babain, madje lind edhe vajzën e dytë. Por edhe pas kësaj lindjeje, mamaja raportet me babain i kishte po njësoj. Ndahen për të mos u parë më kurrë. Ajo nuk donte ta më shihte me sy gjithmonë, por unë kisha gjyshen që më donte e më tepronte nga ajo që merrja prej saj”.
Shqipëria vendi i saj i dashur, ku Margarita punoi si mësuese
Në Shqipëri u ndjeva shumë mire. Bëja jetën time. Kam lexuar mjaftueshëm për vendin tuaj përpara se të vija, ndaj isha e informuar mirë. Të tjerët kanë pasur probleme me pushtetin e ri, ndërsa unë jo. Burrin e kisha para –mbrapa, çfarë doja unë bëhej realitet. Megjithëse unë nuk zgjodha, por ma zgjodhën, jeta më shkoi më shumë se bukur. Nuk kisha pasur askënd tjetër para tim shoqi. Kur gjyshja e pyeti “a do e marrësh Ritën me vete?!”, ai u përgjigj direkt, po! “Do shkoj të bëj kërkesë në Ambasadë, po ma lejuan… unë do e marr.” Isha 19-20 vjeç në atë periudhë. Raportet me vendin tim tashmë janë harruar fare. Unë aty kam dy motra të tjera, por fatin tim asnjëra nuk e ka pasur. Dikur, shumë vite më parë kam shkuar në Moskë, ndërsa tani jo, shumë rrallë. Ndaj unë ndjehem vendalie këtu. Në këtë vend jam e ardhur, por jam vendalie.
Margarita motra jonë
Margarita Sulejmani ka rreth 63 vjet që jeton në Shqipëri dhe ende gjuha ruse ndjehet fort në bisedat me të. Formimi është i fortë, ai nuk u larguaka kurrë – pohon ajo. Mësuesja e Rusishtes ishte shumë e njohur dhe e veçantë për Tiranasit, që të huajt i prisnin krahë hapur. Në katër shkollat ku Rita ishte pjesë e grupit të arsimtarëve ka mjaft histori për të rrëfyer me nxënësit që e adhuronin. Shkollat ku Margarita ishte pjesë janë 4. Shkolla e kuqe, Labinoti (ishin nxënës të shtëpisë së fëmijës) e cila sapo kishte filluar si shkollë, Partizani, Fan Noli, Xhezmi Delli, 29 Nëndori, sot Gjon Buzuku. “Margarita motra jonë” – e kishin si këngë kolegët e saj. Dikur familja Sulejmani banonte në një vilë dykatëshe pranë “Vilës Gold”, por më kalimin e kohëve dhe ndërrimit të sistemit, atë shtëpi e përfitoi kunata. Pas kësaj mësuesja jonë e rusishtes u zhvendos në kinostudio, aty ku jeton edhe sot e vetme. “Nexhati (i shoqi) u sëmur dhe u bë sa një kulaç”, thotë me sytë e lotuar Rita. “Ishte moment shumë i vështirë për mua. Vdiq 87 vjeç, por më fiku derën”. Është e lumtur me arritjet që shijojnë fëmijët e saj jashtë Shqipërisë. Tatiana Sulejmani (Albana), si një nga balet-maestrot më të njohura në Milano (përpos suksesit unik që bëri në Shqipëri). Ndërsa Iliri, djaloshi që njohim në disa filma të viteve 80, si një nga emrat me perspektivë në celluloid-in e atyre viteve, sot punon në OSBE. Pasi përfundoi në Akademinë e Arteve, largohet në Bruksel ku fillimisht nis me përkthimin me një grup Japonezësh që merreshin me makineritë e sofistikuara, për të vijuar që këtë bashkëpunim ta menaxhoj vetë me kalimin e viteve.
http://shekulli.com.al/historia-e-moskovites-si-vendalie-tiranase/?galeri=4#article-gallery