Gjykata e Apelit ka rrëzuar këtë të hënë vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, e cila kishte kërkuar “arrest me burg” me afat 30-ditor për Ervis Martinajn, njërin prej dy të plagosurve të ngjarjes së rëndë që tronditi zonën e ish-Bllokut mbrëmjen e 4 tetorit.
Në një seancë të zhvilluar me dyer të mbyllura, Apeli ka ndryshuar masën e sigurisë në “arrest me burg” pa afat për Martinajn, edhe pse avokati mbrojtës i tij kishte apeluar me synimin për të lehtësuar barrën ndaj klientit të tij.
Për ngjarjen e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë një Fabian Gaxha, janë arrestuar 3 të tjerë: Ervis Martinaj, Eljon Hato dhe Geldo Hoti, ndërsa në kërkim janë Ervin Mata, Fabio Allushi, Meviol Bilo dhe A. Boshnjaku. 36-vjeçari Martinaj akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.