Nga Fjorela Beleshi
Pedonalja në kryeqytet pritet të ketë fatin e godinës së Teatrit Kombëtar. Ndër investimet e planifikuara të Bashkisë sëTiranës është dhe rikonstruksioni i rrugës “Murat Toptani” që prej shtatë vitesh shërben si Pedonale.
Kjo rrugë është e vetmja ku nuk lejohet kalimi për automjetet në kryeqytet. Por me sa duket me projektin e ri, automjetet do të kalojnë sërish në të.
Tenderi për konsultimin publik me objekt rikonstruksioni i rrugës “Murat Toptani” është shpallur në datën 18 shtator me një fond prej rreth 4 mln lekë. Kompania fituese do të shpallet në fund të muajit dhjetor. Më pas do të paraqiten dhe propozimet për formën që do të ketë Pedonalja.
Paralelisht me këtë projekt, në parlament është miratuar ligji për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Për këtë do të shpallet tenderi, ku do të vendoset dhe kompania që do të ndërtojë godinën e re si dhe objekte shumëkatëshe.
Rruga “Murat Toptani: u financua nga KE dhe Banka Botërore me një shumë prej rreth 2 mln eurosh, ku iu dha prioritet këmbësorëve.
Pas shpalljes së tenderit për rishikimin e projektit, nuk kanë munguar akuzat se ky është një vendim i qëllimshëm.