Presidenti: Ligji i jep policisë pushtet të pakufizuar, nuk jep garanci për të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera
Tjetër ligj i mazhorancës kthehet nga presidenti Bujar Nishani. Kësaj here është fjala për ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, të cilin kreu i shtetit e ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend. Sipas presidentit, ligji i jep policisë një pushtet të pakufizuar për të vlerësuar instalimin e sistemit të kamerave të sigurisë si dhe nuk jep asnjë garanci se si do të ruhen të dhënat personale të individëve të siguruara nga këto kamera.
Presidenti sqaron se ligji i miratua në seancën plenare të datës 10 Mars 2016 bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencën përkatëse të detyrueshme në Republikën e Shqipërisë.