Nga Daniela Bonollari
E kuptoj që inatoseni me Xhisielën. Sidomos ju vajza e gra që shembull keni pasur Zhan D’Ark, Hilari Klinton, Meril Strep Ledi Diana po Cat Woman. Teknologjia, modernizimi, fukarallëku apo maskarallëku ka vite që prodhon një kontaminim të çuditshëm vajze. Nuk është as Lady Makbeth, as Zonja Bovari. Kjo është “Xhisiela”.
Të gjithë kemi njohur në shkollë, lagje, punë nga një vajzë të tillë. Është ajo goca e bukur, me ose pa para, me ose pa familje që beson vetëm tek leku e pasqyra. Pikë kureshtjeje apo lodhje truri sesi i fitojnë lekët prindërit apo i dashuri. Është ajo goca tipike që nuk ka durim të hapë librin sepse është duke hapur sytë nga kangjellat e shkollës se cila fuoristradë kaloi dhe nëse ai laci me leke ia shkeli syrin. Është ajo që vajza apo djali jot sot e ka në shkollë, është ajo goca e para 20 viteve që dhe ti e ke pasur shoqe dhe i ke marrë një fustan borxh.
“Xhisiela” edhe pse në shtëpi ha bukë me djathë, nga i dashuri kërkon karkaleca, hotel. Që i thotë nënës “mos më ça kokën”, nëse ajo e pyet ku i gjete paratë që bleve këtë makinën dhe që korrupton tërë familjen, madje fut në thes edhe vëllain bob me një orë “Rolex”.
“Xhisiela” është ajo vajza që pa ditur sesi troket tastiera e kompjuterit, ta sjellin në vendin e punës të komanduar dhe që ndërsa ty të kullon djersa nga stresi e lodhja, ajo i lyen thonjtë qetë-qetë e po aq qetë fut në xhep rrogën e në shtrat shefin.
Mos u çudit por “Xhisiela” me X5 është pikërisht ajo goca që e ke sharë në semafor se të parakaloi keq, ajo vajza që dje ngrysej e gdhihej me një palë tuta e sot drejton një butik me rroba firmato ose ndonjë drejtori shteti dhe nën zë të gjithë e dinë që ishte Ai pas gjithë kësaj.
Një vajzë e tillë që pasi bën pakt me djallin edhe nëse një moment sekondar kthjellohet e humb sërish gjykimin nëse ia kërcet dhëmbet një mashkull. Arriviste por me “a” te vogël, Xhisiela është tipja e vajzave që shou biz e adhuron. Tabloidet sot ‘jetojnë’ me Xhisiela. Nuk kanë të mbaruar “Xhisielat”, as historitë e tyre të vogla apo të mëdha. “Xhisielat” armatim kanë bukurinë e trurin e vajisin vetëm po u dhe dru.
E di që ju inatos Xhisiela, e dashura e një djali deputeti tipik province, tipja që ju kujton atë vajzën në lagje, shkollë, punë apo pronaren e butikut për të cilën ju lind gjithmonë pyetja: Po kjo si i paguan taksat kur xhiron ditore e ka zero?
Comments 1