Sipërmarrjet ankesë në Tatime për 116 milionë euro gjoba
Aksioni kundër informalitetit vitin e kaluar u shoqërua me një mori gjobash nga administrata tatimore. Sipas të dhënave mbi gjobat, të disponueshme nga tatimet, apelimi i gjobave ishte gati tre herë më i lartë se një vit më parë, duke arritur në gati 12 mijë. Por ndërsa administrata ka qenë më dinamike në rritjen e ritmit të gjobëvënies, nuk ka ecur me të njëjtat ritme zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Sipas të dhënave, në 2014-n, është marrë vendim për 75% të gjobave të apeluara, ndërsa vitin e kaluar, iu dha përgjigje 62% të gjobave të apeluara nga biznesi.
Për nga numri, apelimet tatimore janë më të lartat e pesë viteve të fundit, ndërsa për nga vlera, gjobat e vëna nga administrata dhe të ankimuara vitin e kaluar janë më të lartat e tre viteve të fundit. Arriti në 16.2 miliardë lekë ose 116 milionë euro shuma që biznesi ankimoi te Drejtoria e Apelimit Tatimor. Këto janë ankesa që kryesisht bizneset i kanë bërë, sepse nuk kanë qenë dakord me vlerësimet tatimore pas kontrolleve, apo për gjoba të ndryshme. Vetëm 537 milionë lekë, apo rreth 3.3% e shumës së ankimuar është shfuqizuar, 5.3 miliardë lekë është në fuqi, 10 miliardë lekë është refuzuar dhe 357 milionë lekë është kthyer për saktësim.