Më datë 30 dhjetor një urdhër nga lart ka zbrazur të gjithë pacientët nga pavioni i sëmundjeve të brendëshme në Qendrën Spitalore Universitare. “Shkoni të festoni vitin e ri në shtëpitë tuaja, këtu mund të rrinë vetëm ata që janë rëndë”, ka qenë urdhëri i kryeinfermieres.
Një pacient “besnik” prej më shumë se 7 vitesh në QSUT, B.P, u largua me shume mundime drejt banesës së tij. I operuar nga prostata, i kishin vënë një kateter. Sa hyri në banesë, shpërtheu hemoragjia, shkoi sërish në spital dhe një mjek i urgjencës ia ndërroi. Ta kanë vënë gabim tha. E uruan doktorin për vitin e ri dhe morën taksinë e u kthyen sërish në shtëpi. U ul në divan, piu ujë se mjekët e kishin porositur të konsumojë më shumë se 3 litra në ditë. Por s’vonoi shumë dhe hemoragjia shpërtheu prap.
Mori sërish rrugën e QSUT-së dhe mbërriti në urgjencë. Mjeku i rojës, nisi t’i shpjegojë si hidraulik. “Të është zgjeruar tubi, ka nevojë për fashetë, por ti ke lëvizur, pse ke lëvizur, ke prishur tubacionin. Kupton që nuk ka gominë që e mban. Të ka rrjedh ndonjëherë lavatriçja dhe ndërhyn në tubacion?! Por ne nuk mund të ndërhyjmë në tubacion”, thotë mjeku gjithë nerva.
B.P kërkoi ta mbajnë në spital por mjeku ia ktheu prerë: “o njish, o artist, o figur, po ti ke marrë fletë dalje që më 30 dhjetor të 2015-s. Pse han pa porta osht ktu”.
“Po nuk mundem bre, nuk mundem me lëviz”, ia kthen i moshuari.
Mjekët e tjerë? “A nuk janë është pushim, njëri kthehet nesër nga jashtë shtetit, tjetri apo ka ardhur por nuk vjen në punë sot”, thotë një infermjere.
Pak ditë më parë kryeministri Rama, nderoi me çmimin “Bleta e Artë” drejtoreshën e QSUT-së, Ogerta Manastirliu. Një nderim për një drejtoreshë që askush nuk e di çka bërë, por të gjithë e shohin ditë për ditë çka ajo nuk ka bërë për dy vjet në QSUT.
Ky çmim në vetvete tregon arrogancën e pakufi të Kryeministrit Edi Rama, i cili kërkon të imponojë me dhunë një vlerësim për një vartëse të tij që është e akuzuar për abuzime me fondet publike dhe e ka lënë qendrën spitalore në këtë gjendje të mjerueshme.