Për të gjithë ata që kanë nostalgji për atë botë të humbur të përrallave që në kujtime vishet gjithnjë me një vel të përhimë mjegulle dhe një kapaku të trashë libri, trupa kombëtare e baletit të Kosovës ngjitet mbrëmjen e 3 prillit në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, në Tiranë me Shehrazaden dhe njëmijë e një netët.
Mbreti Shehriar, Shehrazadja, Simbad detari e Ali Baba vijnë të veshur në petkat e balerinëve si Aulonë Nuhiu, Donmir Bilalli, Drilon Podrimçaku, IlirKrasniqi, Liridon Mziu, Lorena Sopi, Marigonë Hoxha, Mërgime Morina, Mimoza Bytyqi, Nora Gashi, Vlora Prizreni, Arbnor Krasniqi, Besarta Shaljani, Bleona Kuleta, Egzona Kasabaqi, Elmedina Berisha, Flakarta Qorri, LirilindaKrasniqi e ShpetimMejtani, ndërsa koreografia është e Pëllumb Agalliut, i frymëzuar nga historia e 1001 netëve dhe muzikës së Fikret Amirovit. Skenografia e kësaj shfaqje është përgatitur nga Ylli Selmani, ndërsa kostumet janë të Shemsi Avdiut.
Shfaqja nis me Mbretin Shehriar, i cili kthehet nga gjuetia dhe në pallatin e tij sheh oborrtarët, gjithashtu dhe gruan e tij duke u dëfryer me njërin nga skllevërit. I tërbuar, ai e vret gruan. Vuajtja dhe hidhërimi i madh qe përjeton, e bën të mendojë se të gjitha femrat janë si Nurida, gruaja e tij. Çdo ditë, ai martohet me nga një vajzë të re vetëm për t’i vrarë ato në mëngjesin para se atyre t’u jepet mundësia ta çnderojnë atë.
Pas pak kohe, veziri i tij nuk arrin të gjejë më virgjëresha. Sheherzadja, vajza e vezirit ofron veten e saj si nusen e ardhshme të mbretit dhe me gjysmë shpirti veziri pranon. Në natën e martesës, Sheherzadja fillon t’i tregojë mbretit një përrallë, por qëllimisht nuk e përfundon. Mbreti, kureshtar për përfundimin e historisë e shtyn vrasjen e saj deri sa të marrë vesh përfundimin e përrallës. Natën tjetër, sapo përfundon përrallën e parë, ajo vetëm e fillon një përrallë tjetër dhe përsëri mbreti me padurim për të dëgjuar përrallën e plotë e shtyn vrasjen e saj. Kështu vazhdon tregimi për 1001 net. Dalëngadalë, mbreti fillon të mahnitet me Simbadin që lufton me zogun e zi për të shpëtuar vajzën e pambrojtur, me Marxhanen, shërbyesen e Ali Babës, e cila triumfon mbi dyzet hajdutët… I magjepsur nga tregimet e bukura, nga aftësia e Shehrezades për t’i kthyer besimin mbretit se në këtë botë ekziston ende nderi dhe drejtësia, mbreti Shehriar jeton i lumtur me gruan e tij, dhe ajo qëndron besnike ndaj tij deri në fund.
Po në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, trupa shqiptare e baletit ngjit sërish “La Sylphide” me atmosferën zanash e magjistaresh , mbrëmjet e 1 dhe 2 Prillit, një balet me dy akte që vjen nën koreografinë e Drejtorit të TKOBAP –it Ilir Kerni, ndërsa dirigjent është Gridi Kraja. Muzika është e kompozitorit Herman Lovenskiold-it, ndërsa libreti nga
Adolphe Nourrit, ndërsa do të intepretojnë në skenë atë që Kerni e ka pagëzuar si Kombëtarja e Baletit me kastë nga të dy trupat e baletit, ajo e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë si Ledia Sulaj, Adela Muçollari, Ervis Nallbani, Anxhelo Mucollari, Erisa Gina, Enada Hoxha, Elda Logo, Lurdi Dodgjini, Enred Miolli, Alisa Gjoni, Odeta Dishnica, Elona Dervishi, Jonida Onuzi e Matilda Lamçe.