Garancia për borxhet, miliona euro paguhen nga buxheti
Kompanitë publike nuk arrijnë të shlyejnë kreditë e marra për të cilat shteti ka hyrë garant. Veçanërisht KESH dhe ujësjellësat barrën e tyre të borxheve e kanë lënë në buxhetin e shtetit. KLSH që ka haruar një raport të posaçëm vë në dukje se kjo ndodh për shkak të situatës së rënduar financiare dhe mungesës së likuiditeteve të kompanive publike. Vetëm për KESH-in gjatë vitit 2014 buxheti i shtetit ka paguar 23.5 milionë euro dhe ka rimbursuar nga huatë e huaja rreth 5.7 milionë euro. Por ekspozimi i kompanisë KESH është shumë më I lartë. Vetëm për importin e energjisë në total borxhi është 263,5 milionë euro. Ndërsa detyrimet progresive, të financimeve të huaja me garanci shtetërore janë 48.7 milionë euro. KESH ka të çelura rreth 190.5 milionë euro linja overdrafti me garanci shtetërore në bankat e nivelit të dytë dhe 73 milionë euro linja kredie pa garanci shtetërore.
Po kaq e vështirë është situata e borxheve edhe për ujësjellësat, të cilët sistematikisht nuk kanë paguar detyrimet për financimet e huaja. Në 2014 detyrimet ndaj buxhetit të shtetit kanë shkuar në 987 milionë lekë. Ndërkohë që ky sektor stokun e huasë të garantuar nga shteti e ka rreth 129 milionë euro.