Valët e detit kanë nxjerrë në breg mbi 50 kilogramë marijuanë orët e fundit, në plazhet nga Specchiolla në Diana Marina, në provincën e Brindisit.
Mbi pakot e drogës ka pasur disa shenja me bojë të kuqe, të ngjashme me kryqin e thyer nazist; svastikën. Vendi ku ka dalë droga, në veri të Brindisit, është ndër më të rrahurit nga trafikantët që kalojnë Adriatikun.
Të njoftuar nga pushuesit në Specchiolla, kanë ndërhyrë forcat e rendit që kanë “peshkuar” pakot, të cilat përmbanin rreth 19 kilogramë marijuanë. Nga dëshmitë e disa prej plazhistëve, një barkë me motor ishte shfaqur aty pranë, duke kaluar disa herë.
Ndërkohë, në plazhin e Diana Marina ishte një avokat vendas që vuri re një pako të dyshimtë dhe njoftoi komisariatin e policisë. Pas hapjes së pakos, u gjetën mbi 30 kilogramë marijuanë.
Nuk ka asnjë shenjë që mund të flasë me siguri për origjinën e drogës, por hetuesit thonë se ky është një aks i konsoliduar i trafikut, sidomos me Shqipërinë.