Policia: Autorët e dyshuar janë dy persona nga qyteti i Elbasanit
SH.M dhe G.S. janë inicialet e dy personave nga Elbasani të dyshuar nga policia se trafikuan një shtetase e cila më pas është vrarë në Holandë. Policia e Elbasanit ka njoftuar se i ka identifikuar trafikantët e Zyra Hidës, e vrarë në vitin 1997 në Amsterdam, dhe se po punohet për kapjen e tyre. Mësohet se pas identifikimit të këtyre dy shtetasve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë është bërë padi për veprën penale “Trafikimi i personave”. “Shtetasja u identifikua nga familjarët si Zyra Hida, e datëlindjes 1966, banuese në Elbasan, e larguar nga banesa në vitin 1995. Specialistët e Sektorit kundër trafiqeve të paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, menjëherë nisën hetimin dhe rezultoi se viktima nga viti 1995 deri në vitin 1997 ishte trafikuar drejt shtetit italian dhe më pas në Hollandë me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ka qenë një grup gazetarësh holandezë që erdhën në Shqipëri dhe bënë identifikimin e Zyra Hidës pranë familjes së saj, 19 vjet pas vrasjes së saj në Amsterdam.