Në Tiranë erdhi për herë të parë në vitin 2004, së bashku me një grup studentësh të arteve nga Berlini. Ishte koha kur Jurgen Sieckmeyer sapo qe shkëputur nga njëzet e pesë vite karrierë si reporter lufte dhe pat vendosur që kurrë më në jetën e tij nuk do të përjetësonte në fokusin e aparatit qytete që rrënoheshin nga bombardime, njerëz të plagosur apo të tjerë që jepnin shpirt m’u përpara këmbëve të tij. “Më kishte ardhur në majë të hundës me këtë. Thashë: Mjaft!” – rrëfen Sieckmeyer–i pwr gazetwn Mapo, duke shtuar se ky vendim do të ndryshonte krejt fushëpamjen e tij për botën. Kishte plot gjëra të bukura për të fotografuar dhe ai pikërisht këtë do të bënte. Bashkë me Doris-in, shoqen e tij të pandashme të jetës dhe aventurave, do i kushtoheshin realizimit të albumeve fotografikë në zbulim të bukurive natyrore dhe kulturave të ndryshme të botës.
Me emrin “Tirana” ai ka pagëzuar qenushen e tij, të cilën e gjeti përpara shtatë viteve në oborrin e hotel “Rogner” , kur ajo ishte vetëm një këlysh i porsalindur. E qysh prej asaj dite janë të pandarë.
“Në veri, vendi që dua më shumë është Thethi. Po ashtu më pëlqen edhe Saranda e Butrinti në jug” –thotë Sieckmeyer, por kjo nuk është klisheja e çdo turisti, sepse itineraret e tij, kilometrat e përshkruara me orë të tëra me automobil, i ka të dokumentuara në një libër mbi të cilin shkruhet “Shqipëria Miqësore” e brenda të cilit janë përmbledhur në tri gjuhë; shqip, anglisht e gjermanisht historia, gjeografia, tradita, kultura dhe informacione praktike të një vendi në Ballkanin Perëndimor, botuar nga prestigjiozja gjermane “Seltmann+Söhne”, shoqëruar me fotografi nga peizazhe mbresëlënëse, por edhe momente nga jeta e përditshme e njerëzve të këtij vendi.